Dy persona kanë rënë në pranga të policisë si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal, të cilët ushtronin veprimtarinë e tyre në fushën e trafikimit të armëve të zjarrit.
Të arrestuar janë Jurgen Suca 26 vjeç, dhe Segest Meti 20 vjeç ndërsa në kërkim është shpallur R. A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër. Këta persona kishin fshehur në brendësi të një televizori një armë zjarri të pajisur me silenciator të ndarë në pjesë me qëllim trafikimin drejt Anglisë.
Televizori ishte ngarkuar në një kamion, i cili u ndalua për kontroll në zonën e “Bulevardit të Ri” në Tiranë, ndërsa shoferi nuk ka pasur dijeni për armën. Hetimet po vijojnë për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ndërkohë i arrestuari Segest Meti rezulton i dënuar në Angli me 3 vite e 2 muaj burg për plagosje me thikë në Basingstoke, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2024. Gjithashtu ai ka qenë më parë dhe çiklist me ekipin e Vllaznisë.



