Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dërguar një kërkesë zyrtare në Këshillin Bashkiak, ku i bën thirrje anëtarëve që t’i japin mundësinë të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet në mbledhjen e 23 shtatorit, ku pritet të shqyrtohet propozimi për shkarkimin e tij nga detyra, për shkak të mungesës mbi tre muaj në funksionin e kryebashkiakut.
Në letrën drejtuar Këshillit, Veliaj e cilëson mungesën si të pavullnetshme dhe rezultat i një “mase sigurie disproporcionale”, që sipas tij ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit dhe ka cënuar rëndë mandatin kushtetues të dhënë nga qytetarët.
“Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës,” thuhet në letrën e tij.
Veliaj akuzon sistemin gjyqësor për ndërprerjen e mandatit të tij pa një vendim përfundimtar fajësie dhe thotë se do ta çojë çështjen deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai thekson se nuk bëhet fjalë për interes personal, por për mbrojtjen e kontratës që ai ka me qytetarët e Tiranës.
“Mandati nuk është i imi, por i qytetarëve të Tiranës, të cilët për herë të tretë më kanë dhënë nderin e jetës sime duke më besuar drejtimin e qytetit,” shprehet ai.
Sipas Veliajt, çdo përpjekje për të zëvendësuar vullnetin e qytetarëve me një vendim administrativ të Këshillit Bashkiak përbën një tjetër shkelje të Kushtetutës dhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.