Në Partinë Demokratike po ndodh diçka e rrezikshme. Në vend që gara e paralajmëruar për Bashkinë e Tiranës të shihet si një shans politik përballë pushtetit, ajo po shfaqet si një ‘barrë’ që askush nuk e do mbi supe. Dhe kushdo që do të pranojë do të duket si gomë rezervë.
Dy nga emrat më të votuar në listën e hapur të PD-së, Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, e kanë refuzuar publikisht kandidimin. Alimehmeti me argumentin se nuk ka kohë për fushatë, Tabaku me një “jo” të zgjatur si teleenovelë, qejfi ma ka por ajo tjetra sma mban. Këto refuzime flasin më shumë sesa një mijë fjalë për gjendjen në të cilën ndodhet sot opozita.
Një gjë e tillë e ka shndërruar PD në një parti ku figurat politike janë thellësisht të konsumuara, ndërsa ato më qytetare e më të moderuara nuk guxojnë të hyjnë në garë pasi e duan me risk zero, gati qyl, me përkëdhelje dhe lutje.
Mirëpo kjo garë për të refuzuar dhe për tu tërhequr nga kandidaturat pa hapur gara apo biseda brenda PD duket se dëmton më shumë kandidaturat që do vinë më vonë, pasi duken si goma rezervë, zgjedhje të dorës së dytë, të shitur e të paracaktuar për të humbur. Kjo është e turpshme.