Nga Ermal Peçi
Të gjithë ata që më njohin e dinë mirë se shkrimtari im i preferuar shqiptar është Ben Blushi. Asnjëherë nuk e kam fshehur publikisht vlerësimin që kam për mënyrën se si ai përshkruan ngjarjet, rrëfen emocionin dhe guxon të prekë tabutë që shoqëria jonë shpesh as nuk i diskuton. Edhe pse mund të tingëlloj subjektiv, kam tentuar të jem sa më objektiv në analizën time për Blushin, duke kontribuar me aq sa mundem në debatin publik që ai vetë ka ndezur – qoftë me fjalë, qoftë me heshtje.
Në një vend ku e shkuara harrohet shpejt dhe e ardhmja manipulohet me lehtësi, Ben Blushi mbetet një nga figurat më të pazakonta të hapësirës sonë publike. Ai nuk është thjesht një shkrimtar i njohur, apo një ish-politikan me jetë të vrullshme. Ai është një profet i letrave dhe i politikës shqiptare – një autor që, pa zhurmë dhe pa propagandë, ka parashikuar me një saktësi të frikshme rrugën që do të merrte Shqipëria.
Që në librin “Hëna e Shqipërisë”, Blushi nuk shkruante për atë që kishte ndodhur, por për atë që po vinte. Ai parashikonte zhdukjen e shtresës së mesme dhe ndarjen e thellë mes të pasurve dhe të varfërve, ku polarizimi ekonomik do të bëhej një plagë e pakurueshme sociale. Nuk ishin parulla politike, por analiza sociologjike të maskuara mjeshtërisht në prozë. Sot, kur shohim një ekonomi të përqendruar në pak duar, një shumicë që largohet çdo ditë nga vendi dhe një sistem që i shërben vetëm elitave, kuptojmë se Blushi nuk shkruante romane – por paralajmërime.
Ai parashikoi edhe izolimin e Sali Berishës, në një kohë kur askush nuk e imagjinonte të mundur një skenar të tillë. Sot, Berisha është simbol i një epoke të mbyllur, që po tërheq pas vetes edhe partinë që dikur ishte ura e Shqipërisë me Perëndimin. I zhveshur nga çdo legjitimitet ndërkombëtar, por i kapur fort pas pushtetit përmes marrëveshjeve të errëta, ky është pikërisht profili që Blushi përshkroi me qetësi therëse, shumë kohë përpara se të bëhej realitet.
Në romanin “Kandidati”, dimensioni profetik i Blushit merr formë edhe më të qartë. Ai flet për një Parti Socialiste të kapur nga bandat, për një elitë politike të zëvendësuar nga kriminelë, për një Kryeministër që bëhet garant i këtij tranzicioni të errët. Ajo që dikur dukej si fabul letrare, sot është përditshmëri – në raportet ndërkombëtare dhe në realitetin shqiptar, ku pas figurave të reja fshihen klanet e vjetra me interesa të errëta ekonomiko-kriminale të Partisë Socialiste.
Në “Komploti”, Blushi guxon të prekë një tjetër plagë – përplasjen për Veriun e Kosovës, në një kohë kur ky skenar dukej i pamendueshëm. Po ashtu, ai përmend Shëngjinin si një pikë vendosjeje për emigrantët, një detaj që atëherë dukej trillim, por sot është realitet. Letërsia e tij nuk ishte thjesht fiction – ishte një realitet i shkruar disa vite përpara se të ndodhte.
Në “Parajsa Artificiale”, Blushi prek një tjetër horizont të së ardhmes – fuqinë e inteligjencës artificiale dhe transformimin e rendit botëror përmes teknologjisë. Sot, Shqipëria ka një Ministre të Inteligjencës Artificiale, Diella, një emër që tingëllon si metaforë letrare, por që është kthyer në fakt politik. Edhe një herë, fjala e Blushit parapriu vendimin e shtetit, si një dirigjent i padukshëm që flet përmes librave.
Në një vend ku fjala përdoret shpesh për të fshehur të vërtetën, Blushi e ka përdorur për ta zbuluar atë. Ai nuk ka qenë gjithmonë i pëlqyer, as i kuptuar. Por në heshtje, pa flamuj e pa klane, ka ndërtuar një arkiv të së ardhmes, ku ngjarjet më të rëndësishme janë parashkruar përpara se të ndodhin.
Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të lexojë më shumë – jo për të harruar realitetin, por për të kuptuar se profecitë nuk trashëgohen me gojëdhëna, por me dije të shkruar në libra. Dhe Blushi nuk ka shkruar thjesht për të na rrëfyer të shkuarën, por për të na paralajmëruar për atë që vjen më pas.