Adriatik Lapaj, kryetar i partisë “Shqipëria Bëhet”, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, foli për deputeten e vetme të ish-koalicionit, Ana Dajko.
Lapaj u shpreh se Dajko, nuk e do mandatin por e mban në mënyrë që ai të mos shkojë te Endri Shabani, të cilin ai e cilësoi tradhëtar, që sabotoi hyrjen e Lapajt në Parlament.
“Nuk ka më njeri në Shqipëri që nuk e di që u bë bashkë gjithë sistemi që të detyronte një lëvizje që mori 64 mijë vota, të mos përfaqësonte qytetarët? U përdor standard tjetër për PSD-në? Për ne u përdor standard tjetër?
Kjo duhet të revoltojë çdo qytetar. Unë kam për detyrë që të luftoj për të drejtën. Bëri fjalë njeri për atë mandatin që u ndërrua për 5 minuta në Fier? Përdorën një kalë Troje, një tradhtar.
Ana Dajko nuk e ka dashur dhe nuk e do mandatin, por e mban si të vetmen mënyrë që të mos ia japë një tradhtari. Është nënë e nderuar e 2 djemve dhe e 3 nipërve e mbesave. E ndoqa, e pashë emocionin e saj. Foli me emocionin e nënës. Është njeriu më i ndershëm i asaj salle.
KAS ka 5 vetë, 3 të PS dhe 2 të PD dhe këta të PD-së qeshnin bashkë me këta të Ramës. Këta që bëjnë sikur zihen, kjo opozita nuk mbante anën e një subjekti opozitar.
Ajo nuk do të jetë deputete e zakonshme, por do të jetë përfaqësuese ndryshe, do të ketë pas 7 avokatë që do të përgatitin rezoluta dhe ajo do t’i depozitojë me shkresa dhe akte”, tha Lapaj.