Pezullimi i Dialogut SHBA–Kosovë pasojë e ripozicionimit gjeostrategjik të Uashingtonit në Ballkan

spot_img
Advertisements

nga Red Varaku

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar në mënyrë të pakufizuar dialogun strategjik me Kosovën ka ngjallur diskutime të shumta në opinionin publik dhe politikën rajonale.

Në pamje të parë, ky akt shihet si reagim i drejtpërdrejtë ndaj politikave dhe retorikës së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Megjithatë, një analizë më e thelluar sugjeron se ky zhvillim tejkalon dimensionin bilateral dhe lidhet ngushtë me ripozicionimin gjeostrategjik të Uashingtonit në rendin e ri botëror që po formësohet.

Historikisht, Kosova është trajtuar nga SHBA si një projekt normativ i politikës së jashtme amerikane, një shembull i ndërhyrjes humanitare, i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe i konsolidimit të demokracisë në Evropën Juglindore. Por nën administratën Trump, kjo paradigmë është zëvendësuar gradualisht me një logjikë transaksionale, ku marrëdhëniet ndërkombëtare shihen përmes kostos dhe përfitimit strategjik. Në këtë kuadër, me Donald Trump Kosova nuk është më një prioritet i veçantë, por një element i shkëmbyeshëm në arkitekturën e interesave globale.

Politika e jashtme amerikane është e përqendruar gjithnjë e më shumë te rivaliteti me Kinën dhe menaxhimi i marrëdhënieve me Rusinë. Në këtë sfond, Ballkani shihet më pak si një “çështje eksistenciale” dhe më shumë si një zonë tampon, ku qëndrimi amerikan përcaktohet nga nevoja për të menaxhuar ndikimin rus dhe për të shmangur një vakum strategjik që do të mbushej nga aktorë të tjerë.

Nisur nga kjo pezullimi i dialogut me Kosovën nuk ështê një braktisje, por një rikalibrim, tashmë përparësia i jepet Serbisë si aktor më i rëndësishëm gjeopolitik, ndërsa Kosova po trajtohet si derivat i këtyre marrëdhënieve më të mëdha. Prova për këtë është deklarata e zëdhënësit të DASH Tommy Bruce ,i cili në lidhje me takimin më herët këtë vit ne 7 gusht midis Marco Rubio dhe Marko Gjuric, shkruan se ‘ Secretary of State Marco Rubio met with Serbian Foreign Minister Marko Djuric. They agreed the United States and Serbia would hold a bilateral strategic dialogue later this year to deepen economic and security ties’,)Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç. Ata ranë dakord që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të zhvillojnë një dialog strategjik dypalësh më vonë këtë vit për të thelluar lidhjet ekonomike dhe të sigurisë. Me fjalë të tjera SHBA ndërpret dialogun strategjik me Kosovën dhe fillon dialogun strategjik me Serbinë.

E kemi parë këtë qasje të re të administratës Trump ndaj Ukrainës ,një qasje që ka për qëllim reduktimin e kostos së përfshirjes amerikane dhe gjetjen e një formule të qëndrueshme me Moskën . Kjo qasje duket se shërben si precedent i qartë edhe për Ballkanin.

Kosova, në këtë logjikë, nuk shihet më si “partner i privilegjuar”, por si një faktor i negociueshëm në kuadër të një pazari më të madh me Rusinë dhe Evropën. Pezullimi i dialogut është pra sinjal i drejtpërdrejtë i këtij ndryshimi paradigmatik.

Ky vendim është gjithashtu një mënyrë për të testuar dhe, njëkohësisht, për të sfiduar Evropën. Për Uashingtonin, stabiliteti i kontinentit duhet të jetë gjithnjë e më shumë përgjegjësi e vetë evropianëve. Duke i “deleguar” Kosovën Brukselit, SHBA dërgon mesazhin se nuk do të mbajë më barrën ekskluzive të stabilitetit rajonal, duke i orientuar aleatët evropianë drejt një autonomie më të madhe strategjike.

Përqendrimi i Uashingtonit në rikonfigurimin e aleancave në Lindjen e Mesme, sidomos përmes marrëdhënieve me Izraelin dhe menaxhimit të tensioneve me Iranin, ka reduktuar ndjeshëm vëmendjen ndaj periferive si Ballkani. Në një rend botëror gjithnjë e më të fragmentuar, burimet diplomatike dhe ushtarake amerikane po përqendrohen atje ku gjenerohen kërcënimet kryesore për interesat vitale të SHBA.

Në përfundim pezullimi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës nuk duhet interpretuar si një penalizim i kufizuar ndaj qeverisë së Kosovës apo ndaj Albin Kurtit. Përkundrazi, ai është shprehje e një ripozicionimi më të gjerë gjeostrategjik të Uashingtonit, ku Kosova humbet statusin e saj si simbol i politikës normative dhe bëhet pjesë e një logjike transaksionale, të diktuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha dhe nga nevoja për rishpërndarjen e burimeve të fuqisë amerikane.

Ky është një realitet i ri, me të cilin Kosova dhe rajoni më gjerë duhet të mësojnë të bashkëjetojnë.

Latest articles

Related articles