Shkencëtarët zbulojnë shkaqet përgjumjes së tepërt gjatë ditës

spot_img
Advertisements

Një studim i fundit i publikuar në revistën prestigjioze “The Lancet eMedicine” ka hedhur dritë mbi bazat biologjike të përgjumjes së tepërt gjatë ditës, një fenomen që ndikon rëndë në jetën e përditshme të shumë njerëzve. Përgjumja e tepërt, që shfaqet si një dëshirë për të fjetur gjatë orarit të punës, vakteve apo edhe në momente sociale, nuk është thjesht pasojë e mungesës së gjumit gjatë natës, siç mendohej më parë.

Në këtë studim, një ekip nga Instituti Kardiovaskular në Qendrën Mjekësore “Beth Israel Deaconess” dhe Spitali “Brigham and Women’s”, të lidhur me Universitetin Harvard, analizuan nivelet e 877 metabolitëve të ndryshëm në mostrat e gjakut të më shumë se 6,000 pjesëmarrësve. Metabolitët janë molekula të vogla të prodhuara ndërsa trupi kryen funksionet e tij normale, nga sinteza e hormoneve, te metabolizimi i lëndëve ushqyese dhe pastrimi i toksinave mjedisore. Duke matur këto metabolite, studiuesit krijuan një profil të përgjumjes së tepërt gjatë ditës.

Rezultatet treguan se shtatë metabolitë ishin të lidhur në mënyrë të ndjeshme me përgjumjen e tepërt gjatë ditës, duke përfshirë prodhimin e steroideve, një komponent kyç në funksionet biologjike që ndikojnë vigjilencën. Për më tepër, studimi zbuloi edhe tre metabolitë shtesë që lidhen me përgjumjen tek meshkujt, duke treguar se mund të ketë dallime biologjike në mënyrën se si kjo gjendje manifestohet në varësi të gjinisë.

Kjo hulumtim tregon se përgjumja e tepërt gjatë ditës mund të jetë pasojë e një ndërlikimi faktorësh gjenetikë, metabolikë dhe mjedisorë, dhe jo thjesht mungesë gjumi. Kjo hap mundësi për diagnoza më të sakta përmes analizave të gjakut dhe për zhvillimin e trajtimeve të specializuara për këtë gjendje që sot mbetet shpesh e pazbuluar ose e trajtuar jo në mënyrë optimale.

Studimet e fundit identifikuan variante gjenetike të shoqëruara me përgjumjen e tepërt gjatë ditës, por gjenetika shpjegon vetëm një pjesë të vogël të historisë. Ne donim të identifikonim biomarkues që mund të japin njohuri më të forta mbi mekanizmat e përgjumjes së tepërt gjatë ditës dhe të ndihmojnë në shpjegimin pse disa njerëz përjetojnë përgjumje të vazhdueshme edhe kur zakonet e tyre të gjumit duken të shëndetshme”, tha Tamar Sofer, drejtoreshë e Biostatistikës dhe Bioinformatikës në Institutin Kardiovaskular në Qendrën Mjekësore Beth Israel Deaconess dhe profesoreshë e asociuar në Shkollën e Shëndetit Publik TH Chan të Harvardit dhe Shkollën Mjekësore të Harvardit.  

Autorët e studimit theksojnë se njohuritë e reja mund të çojnë në strategji të reja për parandalimin dhe menaxhimin e çrregullimeve të gjumit që shfaqen me përgjumje të tepërt gjatë ditës, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve.

Latest articles

Related articles