Internet falas në tri hapësira publike në Lezhë

spot_img
Advertisements

Bashkia e Lezhës është shpallur fituese në projektin “Wi-Fi për Ballkanin Perëndimor” (Wi-Fi 4 Western Balkan), një nismë inovative që synon të ofrojë internet falas dhe me shpejtësi të lartë në hapësira publike.

Përmes këtij projekti, tri hapësira publike në qytetin e Lezhës do të jenë së shpejti të aksesueshme falas me Wi-Fi, duke krijuar një mjedis më të hapur dhe më të lidhur për qytetarët dhe vizitorët.

Sipas njoftimit të bashkisë, kjo nismë pritet të ndikojë pozitivisht jo vetëm në cilësinë e jetës së përditshme të komunitetit, por edhe në zhvillimin e turizmit, edukimit dhe shërbimeve moderne në qytet.

Bashkia Lezhë thekson se mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që sjellin modernizim, inovacion dhe lehtësi në jetën e përditshme të qytetarëve.

Nisma “WiFi4WB” është pjesë e projektit të Bashkimit Evropian për Digjitalizimin “EU4Digital”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria gjermane dhe i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).

WiFi4WB synon të ofrojë pika Wi-Fi falas në hapësira publike deri në 500 bashki në Ballkanin Perëndimor. Projekti bazohet mbi suksesin e programit të BE-së “WiFi4EU”, i cili alokoi 130 milionë euro për ngritjen e rrjeteve publike Wi-Fi në pothuajse 9 mijë bashki të BE-së.

Pikat e aksesit me Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke mundësuar akses falas dhe të besueshëm në internet për banorët dhe vizitorët.

Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së lidhjes digjitale në rajon, duke u dhënë njerëzve më shumë mundësi për të komunikuar, mësuar dhe punuar online në mënyrë më efektive. Ajo është pjesë e një plani më të gjerë për të përshpejtuar tranzicionin digjital në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur integrimin e rajonit në Tregun e Vetëm Digjital të BE-së.

Latest articles

Related articles