Enver Robelli
Vlladimir Putini po ndihet superior ndaj Europës. Pas pritjes me qilim të kuq në Alaska nga presidenti amerikan, ai u kthye në Moskë me ndjenjën e triumfatorit. Nuk bëri asnjë lëshim dhe rusëve të tij u përcolli këtë mesazh: unë jam në radhën e parë të skenës së politikës botërore. I akceptuar. I respektuar. I pranuar si lider. Përkundër agresionit kundër Ukrainës (më 2014 dhe më 2022). Përkundër aksioneve të sabotazhit në shumë vende të Europës Perëndimore. Përkundër fushatës me lajme të rrejshme. Përkundër atentateve me helm (në Britaninë e Madhe) dhe me armë (në zemër të Berlinit).
Pas gjithë kësaj përvoje pa gati asnjë pasojë, pse mos të shkojë Putini edhe një hap më tutje? Për shembull, duke goditur Poloninë me dronë. Pse mos të testojë seriozitetin e përgjigjes nga NATO, kur udhëheqësi i aleancës në Washington nuk ka aq disponim të ruajë e mbrojë rolin e SHBA-ve si prijëse e botës së lirë – një rol që Washingtoni triumfalisht e mori sidomos pas Luftës së Dytë Botërore dhe u solli aq shumë liri e mirëqenie popujve të Europës?
Putini e ka nuhatur momentumin e dobësisë së Perëndimit. Franca, një fuqi bërthamore, është zhytur në depresion dhe trazira, me qeveri jostabile, me kryeministra që ndërrohet shpesh. Britania e Madhe, fuqi tjetër bërthamore, përpëlitet me pasojat e daljes nga BE dhe me rrezikun e ardhjes në pushtet të së djathtës agresive. Gjermania e partive tradicionale nuk po arrin të gjejë përgjigje ndaj një partie të ekstremit të djathtë, e cila forcohet zgjedhje pas zgjedhjeje. Spanja, një shtet i madh dhe i rëndësishëm në jug të Europës, bëhet sikur është larg problemeve në cepin lindor të kontinentit. Italia, me një kryeministre postfashiste, së paku nuk i është bashkuar autokratit hungarez në sabotimin e unitetit perëndimor ndaj rrezikut rus, por as nga Roma s’mund të pritet lidership në përputhje me rrezikun që kanoset nga Kremlini.
Duhet pranuar se Putini është i sinqertë: ai nuk e ka fshehur se është në luftë me Perëndimin. Për aq kohë sa mungon një përgjigje e vendosur perëndimore, për aq kohë sa rreziku injorohet – diktatori rus do të vazhdojë provokimet. Fakti që një dron rus arriti të depërtojë 250 kilometra brenda territorit polak tregon se NATO ka ende shumë, shumë punë për të kryer për t’ia ndalur hovin Vlladimir Putinit.