Teksa mësimi ka nisur dhe nxënësit janë ulur nëpër banka bashkitë kanë hapur një “lumë” tenderësh për rikonstruksionin e godinave të shkollave. Si “ai që thur gardhin pasi i ku kali”, Bashkia Gramsh do të shpenzojë rreth 140 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “35-vjetori i Çlirimit Gramsh” dhe ndërtimin e palestrës.
Me kompaninë fituese tashmë të shpallur, nxënësit e kësaj shkolle janë transferuar në një tjetër institucion arsimor. Punimet planifikohet të zgjasin 10 muaj.
Bashkia Elbasan do të shpenzojë rreth 200 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe murit rrethues dhe ndërtimin e shkallës së emergjencës në shkollën “Dhaskal Todri”. Kompania fituese do duhet të përfundojë të gjitha punimet brenda gushti të vitit 2026.
Për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme në Bushat, si dhe shtesën e dy kateve, Bashkia Vau i Dejës ka vënë në dispozicion 120 milionë lekë. Edhe këtu kompania fituese do të ketë 12 muaj në dispozicion për përfundimin e punimeve.
Ndërkohë Bashkia Tiranë ka vënë në dispozicion mbi 166 milionë lekë për blerjen e orendive dhe objekteve të tjera që i nevojiten procesit të mësimdhënies.



