nga Myslym Murrizi
Sot 6 Shtator 2025, revolucioni imagjinar ngeli në versionin 3D ose “mund” të fillojë më 16 shtator, ditën e Konferencës së Pezës.
Në nëntor 2024, kur Berisha u lirua nga arresti i shtëpisë, në hyrje të selisë së PD u tha militantëve se: “Zoti ka thënë: pastroni shtëpinë që unë të kthehem, dhe ne do ta pastrojmë shtëpinë tonë.”
Por në fakt, pas kësaj deklarate fillove ta pastrosh PD nga ata që të kanë qëndruar e mbështetur, Doktor, duke ulur në “qoshe” ata që të kanë sharë e sulmuar, që lobuan për të shpallur non grata dhe që të raportonin nëpër ambasada për të qena e të paqena.
Solle pa votë në kupolën e PD ata që nuk lanë gjë pa thënë prej 9 shtatorit 2021 e që të vunë dajakun më 8 janar 2022 ty, Doktor, dhe demokratëve.
Lufta ndaj Sorosit, nëse e ke seriozisht, që mua nuk më duket fare se e ke seriozisht, nuk bëhet as me deklarata boshe, as me konferenca shtypi monotone, por me veprime konkrete.
Por kur shoh që në grupin parlamentar ke 17 deputetë “këlyshë të Sorosit” dhe mbi 10 anëtarë kryesie, dhe nuk ke këllqe të marrësh asnjë nismë për t’i “pastruar”, atëherë e gjithë “lufta” demagogjike kundër Sorosit shfryhet si tullumbace, Doktor.
Sepse as Presidenti Trump, as administrata e tij, nuk janë si ata servilë që duartrokasin në çdo mbledhje dhe nuk lënë kusur pa të sharë në çdo takim me të huajt.
Politika nuk bëhet me deklarata false, Doktor, pa asnjë veprim konkret për çfarë deklaron.
A e “pastron” dot shtëpinë, Doktor??????
Mua më duket që jo.
Jo, sepse nuk të lënë as ata që të kanë rrethuar, as ata që të kanë sharë e sulmuar, e as ata që të duket sikur të kanë “ndihmuar”.
Kjo botë është bërë e hapur, e lexueshme, e kuptueshme, dhe informacionet nuk janë më monopol i një grushti njerëzish të vegjël, Doktor, që duan të duken të mëdhenj duke heshtur, se janë debilë e servilë.
Komunikimi dhe informacionet e kanë “zvogëluar” shumë këtë botë, Doktor, sa askush nuk mund të mashtrojë më me të njëjtin “stil” për një kohë të gjatë.
Morali i politikës nuk është bashkim numerik frymorësh, por bashkim vlerash rreth kauzave që nuk shiten në pazar e që nuk “falen” kurrë për çfarëdo halli apo interesi.