Kina ka interes për Shqipërinë, ambasadorja e Xi shpalos objektivat

spot_img
Advertisements

PANG CHUNXUE

Në përkujtim të 80-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Botërore Antifashiste

Ky vit shënon 80-vjetorin e fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Botërore Antifashiste. Më 3 shtator, qeveria kineze do të mbajë një ceremoni solemne përkujtimore për të nderuar dëshmorët dhe për të punuar bashkërisht për mbrojtjen e paqes, zhvillimin dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë.

DUKE RISHIKUAR TË KALUARËN, NE KUJTOJMË VUAJTJET E HISTORISË

Më 2 shtator 1945, Japonia nënshkroi Paktin e Kapitullimit. Pas 14 vitesh lufte të mundimshme dhe heroike, populli kinez arriti një fitore të madhe në Luftën e Rezistencës Kundër Agresionit Japonez, duke shënuar edhe fitoren e plotë të Luftës Botërore Antifashiste. Si dëshmitar i këtij momenti historik, gazetari Zhu Qiping në raportimin e tij plot emocion shkroi: “Turpi i së kaluarës është larë dhe Kina po rilind”. Kjo ishte një fitore për popullin kinez, por edhe për popujt në mbarë botën, e cila është gdhendur përjetësisht në analet e historisë së kombit kinez dhe në historinë e kauzës për drejtësi njerëzore. Lufta e Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez shënoi preludin e Luftës Botërore Antifashiste. Në frontin kryesor të lindjes, Kina bëri sakrifica të jashtëzakonshme, me mbi 35 milionë viktima midis ushtarëve dhe civilëve, ndërsa humbjet e drejtpërdrejta ekonomike arrinin në 100 miliardë dollarë. Partia Komuniste e Kinës ishte shtylla kurrizore e rezistencës kundër militarizmit japonez, e cila në sajë të një udhëheqje të shkëlqyer politike dhe një strategjie të saktë, udhëhoqi popullin kinez drejt fitores së të parë të plotë kundër pushtimit të huaj në kohët moderne. Komunistët kinez luftuan me guxim në vijën e parë të frontit të luftës, duke udhëhequr ushtrinë kineze në neutralizimin dhe asgjësimin e mbi 1.5 milionë trupa japoneze dhe duke shkërmoqur kështu iluzionin e saj “të pushtimit të shpejtë të Kinës”.

Në frontin e luftës në Europë, Shqipëria luajti një rol të pashlyeshëm në Luftën Botërore Antifashiste. Në vitin 1940, kur trupat italiane sulmuan befasisht Greqinë, ato u zmbrapsën nga rezistenca e përbashkët e partizanëve shqiptarë dhe ushtrisë greke në malin e Pindusit, duke shkatërruar për herë të parë mitin e “pathyeshmërisë” së Fuqive të Boshtit. Në vitin 1941, ndërsa kolonat e blinduara gjermane përparonin drejt Detit Adriatik, Ushtria Nacional-Çlirimtare Shqiptare zhvilloi luftë partizane në male, duke penguar dislokimin e trupave gjermane në veri. Në qafëmalet më të rrezikshme të Ballkanit, Shqipëria, me rezistencën këmbëngulëse të forte si mali, ndihmoi frontin europian drejt fitores në luftën për drejtësi. Ishte pikërisht lufta heroike e Kinës, Shqipërisë dhe forcave të tjera që luftonin për drejtësi në të gjithë botën, që çoi në shpartallimin e forcave arrogante fashiste.

DUKE MËSUAR NGA HISTORIA, NE NDAJMË SË BASHKU PËRGJEGJËSITË E KOHËS

Lufta e Dytë Botërore ishte lufta globale më e madhe, më e përgjakshme dhe më shkatërruese në historinë e njerëzimit. Flakët e luftës u përhapën në më shumë se 80 vende dhe rajone dhe përfshin rreth 2 miliardë njerëz, duke sjellë një katastrofë të paparë për qytetërimin njerëzor. Fitorja e saj meriton vlerësimin tonë maksimal. Rezultati më i rëndësishëm i fitores së Luftës së Dytë Botërore ishte vendosja e një rendi dhe sistemi ndërkombëtar që kishte në thelb të tij Kartën, qëllimet dhe parimet e OKB-së. Presidenti Xi Jinping vuri në dukje se, “Vendimi më i rëndësishëm i marrë nga komuniteti ndërkombëtar para dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte themelimi i Kombeve të Bashkuara”. Gjatë dekadave të fundit, OKB-ja ka luajtur një rol qendror në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke ofruar garanci jetike për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm botëror. Kthimi i Tajvanit në Kinë ishte një pjesë e rëndësishme e fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe rendit të pasluftës. Deklarata e Kajros shpallte se “Kinës duhet t’i kthehen territoret e grabitura nga Japonia, si Mançuria, Tajvani dhe Ishulli Penghu etj.”. Proklamata e Potsdamit ritheksoi se, “duhen zbatuar patjetër kushtet e Deklaratës së Kajros”. “Pakti i kapitullimit të Japonisë” nënvizonte: “Pranojmë kushtet e Proklamatës së Potsdamit të nënshkruar bashkërisht nga tri shtetet Kina, SHBA-të dhe Anglia më 26 korrik të vitit 1945, të cilës më vonë iu bashkëngjit edhe Bashkimi Sovjetik”. Më 25 tetor 1945, qeveria kineze shpalli: “Që nga dita e sotme, Tajvani dhe arqipelagu Penghu rikthehen zyrtarisht në territorin e Kinës”. Që nga ajo kohë e deri më tani, Tajvani dhe Penghu kanë qenë nën juridiksionin e sovranitetit të Kinës. Tajvani është pjesë e Kinës dhe ky fakt historik dhe ligjor është i padiskutueshëm. Aktualisht, autoriteti dhe efektiviteti i sistemit ndërkombëtar po përballen me sfida të papara. Unilateralizmi dhe hegjemonizmi vazhdojnë të gërryejnë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të manipuluar rezultatet e Luftës së Dytë Botërore dhe për të përmbysur rendin ndërkombëtar të pasluftës është një sfidë për parimet universale dhe drejtësinë botërore, prandaj duhet të kundërshtohet me vendosmëri. Çdo vend duhet të mbajë përgjegjësitë e kohës, të trashëgojë dhe të çojë përpara frymën e Luftës Botërore Antifashiste, të kundërshtojë hegjemoninë dhe politikën e diktatit, të zbatojë në praktikë multilateralizmin e vërtetë.

Duke parë drejt së ardhmes, ne mbrojmë zhvillimin paqësor.

Kombi kinez ka qenë historikisht paqedashës dhe gjithmonë ka qëndruar në anën e përparimit të njerëzimit. Presidenti Xi Jinping shpalli konceptin e ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe tri Iniciativat e mëdha globale, duke mbështetur dhe mbrojtur me veprime konkrete pikëpamjen e drejtë historike mbi Luftën e Dytë Botërore, si dhe duke i ofruar botës një zgjidhje kineze përtej lojërave me shumë zero, që synon zhvillimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë dhe më të barabartë. Duke pasur Iniciativën për Zhvillim Global si udhërrëfyes, ne do të vendosim gjithmonë çështjet e zhvillimit në qendër të axhendës ndërkombëtare, në mënyrë që nëpërmjet zhvillimit tonë të krijojmë mundësi të reja për zhvillimin global, për të shkruar një kapitull të ri të ndërtimit të përbashkët me cilësi të lartë të projektit “Një Brez, Një Rrugë”. Duke përdorur Iniciativën për Siguri Globale si një mburojë, ne do të nxisim zgjidhjet politike për çështjet e nxehta, për të ndërtuar një barrierë të fortë sigurie globale të “dialogut në vend të konfrontimit”. Do ta përdorim Iniciativën për Qytetërime Globale si një urë, duke mbështetur një vizion të qytetërimeve të bazuara në barazi, përfitime të ndërsjella, dialog dhe gjithëpërfshirje, për të kapërcyer barrierat kulturore përmes mirëkuptimit të ndërsjellë, për të forcuar njohjen dhe miqësinë e reciproke midis popujve të të gjitha vendeve. Le të ecim me vendosmëri dorë për dore në rrugën e zhvillimit paqësor, të bëhemi mbrojtës të kujtesës historike, bashkudhëtarë në zhvillim dhe ringritje, mbrojtës të drejtësisë ndërkombëtare dhe së bashku të krijojmë një të ardhme më të mirë për njerëzimin.

  • Autorja, ambasadore e Kinës në Shqipëri

Latest articles

Related articles