Me rastin e vdekjes së gazetarit Artur Zheji, u bë më i dukshëm një fenomen jo fort i njohur më parë. Krahas nekrologjive, kujtimeve dhe shënimeve që sublimonin figurën e tij si gazetar, por edhe si personalitet i kulturës dhe artit, si drejtues i shquar i shtypit apo për rolin e tij pranë politikës, u shfaqën edhe shkrime që e portretizonin si njeri me karakter të dyshimtë, mediokër, të përzier me llumin e politikës, e më tej.
Ku qëndron e vërteta? A teprohet kur flasim për ata që vdesin, apo shqiptarët nuk dinë të respektojnë të vdekurit?
Arturit iu atribuan përpjekje titanike në mbrojtjen me thonj e dhëmbë të Kosovës nga forcat armike serbomadhe. Me këtë rast u rikthye në vëmendje puna e tij në Radio Radikale, e cila, sikundër Partia Radikale pas viteve ’90, kishte mbetur veç hija e së kaluarës. Panela bënte show duke ndenjur pa ngrënë, dhe nuk i kishte mbetur veç të shtonte vizitat në Tiranë për të rekrutuar trans-partizanë. Arturi bënte më të mirën e tij, por çfarë kishin në dorë në ato vite të vështira dëgjuesit e tij në gjuhën shqipe, që silleshin te Stacioni Termini, ku prisnin Caritasin për ndonjë tas supë apo për të gjetur ndonjë vagon ku të kalonin natën?
Të tjerë folën për kulturën e tij të lartë dhe nivelin shkencor të përgatitjes, duke sjellë si fakt se ishte i biri i Petro Zhejit. Natyrisht trashëgojmë shumë nga prindërit, por nuk dihet çfarë ka përfituar ai në nivel shkencor nga vepra e të atit, i cili, përveç punës si përkthyes, kontributin e tij në gjuhësi studiuesit e shohin si fare minor, në mos si një delir të vërtetë.
U fol gjerësisht për mendjemprehtësinë e tij si analist, ndërsa u shfaqën edhe ata që folën për lidhjet e tij të dyshimta me politikën. Disa madje treguan se ai shoqëronte Fatos Nanon në nokturnet e tij të alkolizuara dhe bëjnë be e rrufe se e kanë parë duke i lidhur Nanos lidhëset e këpucëve. Nuk munguan edhe ata që, për raportin e Zhejit me politikën, sollën lidhjen e tij të fortë me Ilir Metën, që njihet si infeksioni i politikës shqiptare, dhe që e mbajti atë të zhytur në llum e korrupsion, sa kohë që vetë Zheji, me këmbënguljen e tij, përfitoi edhe ndonjë post të lartë.
Nuk dua të sjell gjëra të tjera, as të përmend ata që e shohin si toksikoman, sepse në fund të fundit, edhe nëse është e vërtetë, ky është thjesht një problem personal dhe nuk ka vlerë për këtë që po diskutojmë.
Tani del pyetja: Kush ka të drejtë? Ku është e vërteta — te hagjiografët, apo te natyra e shqiptarëve që nuk dinë të respektojnë të vdekurit e shquar?
Mendoj se në këtë rast ka ndodhur fenomeni i mbiekspozimit. Sikundër në një fotografi ku, kur hapet shumë obturatori, ajo djeg personazhin që është në qendër të saj, kështu kam përshtypjen se ndodhi edhe me këtë rast.
Shqiptarët dinë të respektojnë të vdekurin, edhe kur ai bën pjesë në profesionet që shihen si më të urryera në Shqipëri, si ai i gazetarit. Shqiptarët dinë ta mbyllin gojën dhe të mos flasin keq kur nderohet një person i vdekur. Por kur teprohet, ata ndihen të fyer dhe logjikisht reagojnë duke thënë: “Nëse qenka kështu, atëherë po ju jap edhe unë të vërtetën time.” Dhe ti e ke të vështirë ta kundërshtosh.
Shpresoj që ky fenomen, që u shfaq këtë herë, t’i shtyjë hagiografët e së ardhmes të kuptojnë se, duke respektuar të vdekurin, ata respektojnë edhe opinionin e atyre që e kanë njohur në një dritë tjetër dhe janë gati të mos flasin, sa kohë që respektohet masa.