PD denoncon SMS që biznesmeni Lul Morina i dërgoi gazetarit Almer Toska

spot_img
Advertisements

Gazetari Almer Toska ka denoncuar se është kërcënuar hapur nga biznesmeni Lul Morina, pas publikimit të një investigimi mbi të kaluarën e tij dhe lidhjet me politikën.

Toska deklaron se Morina i ka dërguar mesazhe fyese e shantazhuese, ndërsa i kërkon Policisë dhe SPAK të veprojnë pa vonesë, duke e cilësuar këtë rast si provë të kapjes së shtetit nga krimi dhe pushteti.

Reagimi i gazetarit Almer Toska:

Njoftim Publik dhe Denoncim

Pas publikimit të shkrimit investigativ mbi biznesmenin Lul Morina, ku u faktua e kaluara e tij kriminale si trafikant femrash dhe droge, lidhjet e tij me pushtetin e sotëm dhe përfitimi i lejeve të ndërtimit falë mbështetjes politike nga Belinda Balluku, unë jam kërcënuar hapur. Morina më ka dërguar mesazhe fyese ndaj familjes sime dhe ka përdorur gjuhën e shantazhit për të më frikësuar.

Ky veprim tregon qartë se Morina nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime. Ai vepron siç ka bërë gjithmonë, me dhunë dhe arrogancë, duke besuar se lidhjet e tij me pushtetin e mbrojnë nga ligji. Por kjo nuk është më një çështje personale mes meje dhe tij, është një çështje publike që prek të gjithë shoqërinë shqiptare.

Policia e Shtetit dhe SPAK nuk mund të heshtin. Nëse kërcënimet e hapura nga një person me të kaluar kriminale nuk mjaftojnë për të nxitur veprimet e organeve ligjzbatuese, atëherë ky vend është peng i mafies së pushtetit dhe trafikantëve që janë shndërruar në oligarkë të rinj. Heshtja e policisë do të thotë bashkëpunim, vonesa në veprim do të thotë mbrojtje, mungesa e hetimit do të thotë kapje e shtetit.

Lul Morina është shembulli i qartë i asaj se si krimi i organizuar është integruar në politikë dhe ekonomi. Nga trafikant në vitet ‘90, ai është kthyer sot në “biznesmen të suksesshëm”, duke blerë vota për pushtetin dhe duke marrë leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të tij. Dhe sot, ai guxon të kërcënojë hapur gazetarë dhe qytetarë vetëm pse publikojnë të vërtetën.

Unë e them qartë: kërcënimet nuk më trembin dhe nuk do të më ndalin. Përkundrazi, ato janë provë e gjallë se shkrimi im ka goditur në zemër të së vërtetës. Ky është momenti kur Policia, Prokuroria dhe SPAK duhet të tregojnë se a janë në shërbim të qytetarëve apo në shërbim të trafikantëve të lidhur me pushtetin.

Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë vendi ku trafikantët bëhen ndërtues, ku blerësit e votave bëhen partnerë të qeverisë, dhe ku kërcënuesit trajtohen si të paprekshëm. Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën.

Ligji nuk mund të jetë armë në duart e pushtetarëve, ligji duhet të jetë mbrojtja e qytetarëve. Dhe nëse Policia dhe SPAK heshtin sot, nesër askush nuk do të ketë më besim tek shteti.

Krahas kolegëve, ka reaguar edhe Kryetarja e Komisionit të Medias, deputetja Ina Zhupa lidhur me këtë rast.

Zhupa dënon kërcënimin për shkak të detyrës dhe i konsideron akte të papranueshme në një vend anëtar të NATO dhe kandidat për BE.

Ajo shprehet se liria e medias po cënohet çdo ditë: “Ky akt vjen pas sulmit qeveritar të pak ditëve më parë ndaj gazetarëve të News24 dhe Gazeta Panorama, duke provuar në fakt se tashmë qeveria dhe klientët e saj, të veshur me petkun e biznesmenit, i kanë shpallur luftë lirisë dhe pavarësisë së medias. Për ta i vetmi model i pranueshëm janë mediat që nënshtrohen dhe gazetarët që heshtin përballë abuzimit dhe korrupsionit qeveritar

Kryetarja e komisionit të medias i bën apel organeve ligjzbatuese të garantojnë sigurinë e gazetarit dhe të familjes së tij si dhe të merren masat e nevojshme ndaj kujdo që cënon dhe kërcënon gazetarët.

Reagimi i plotë i Ina Zhupës

Në cilësinë e kryetares së Komisionit Parlamentar të Medias dënoj me forcë kërcënimin për shkak të detyrës të gazetarit Almer Toska, drejtues i portalit Timoni.al. Akte të tilla janë të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.

Ky akt vjen pas sulmit qeveritar të pak ditëve më parë ndaj gazetarëve të Neës24 dhe Gazeta Panorama, duke provuar në fakt se tashmë qeveria dhe klientët e saj, të veshur me petkun e biznesmenit, i kanë shpallur luftë lirisë dhe pavarësisë së medias. Për ta i vetmi model i pranueshëm janë mediat që nënshtrohen dhe gazetarët që heshtin përballë abuzimit dhe korrupsionit qeveritar.

Duke shprehur edhe një herë solidaritetin e plotë me gazetarin Almer Toska, apeloj organet ligjzbatuese të veprojnë me shpejtësi ndaj këtij rasti për të garantuar sigurinë personale të gazetarit dhe familjes së tij, duke marrë masat e nevojshme ligjore ndaj kujtdo që cënon lirinë dhe pavarësinë e medias.

Latest articles

Related articles