Nga call center-at te fermat, IA po zëvendëson profesionet rutinë dhe po krijon kërkesa të reja për aftësi, ndërkohë që sfidat me papunësinë tek të rinjtë dhe mungesat në tregun e punës po thellohen.
Vodafone Italia shkurtoi 450 punonjës shqiptarë që ofronin shërbimet call center për klientin këtë vit duke i zëvendësuar me chatbot të Inteligjencës Artificiale. Kompanitë e konsulencës, auditit, financës, marketingut etj. nuk po rekrutojnë punonjës të rinj.
Teksa papunësia te të diplomuarit u rrit në vitin 2025, CEO-t kanë pohuar se IA po rrit produktivitetin.
Cilat profesione rrezikohen në Shqipëri, si do të riformësohet tregu i punës. Të dhënat globale të 2025-s për ndikimin e IA japin shpresë
Para pak ditësh A. Aga, në të 50-tat e tij, humbi punën në call center në të cilën po punonte 15 vitet e fundit.
Vodafone Italia shkurtoi rreth 450 punonjës në Shqipëri, të cilët kryenin shërbimet ndaj klientit, duke i zëvendësuar ata me një chatbot të integruar me Inteligjencën Artificiale.
“Atë që bënin 750 punonjës për disa orë, tani e bën Inteligjenca Artificiale vetëm në tri minuta dhe pa asnjë gabim”, tha z. Aga. Deri në fund të vitit pritet të humbin punën rreth 900 punonjës që ofronin shërbimet call center nga Shqipëria për Vodafone Italia.



