nga Indrit Vokshi
Para 15 vjetësh u takuam në një konferencë me disa politikanë nga Kosova, prej të gjitha partive. Asokohe theksohej me të madhe se Kosova është shtet multietnik. Unë nacionalisti, student veç 20 vjeçar, pyes: Pse multietnik, pasi Kosova është produkt i luftës çlirimtare të shqiptarëve?
Mu përgjigj Ahmet Isufi, po e përmend emrin sepse dua të tregoj diçka nëpërmjet emrit. Ahmeti tha pak a shumë kështu: Ne e dimë që ne kemi luftuar por ndryshe lufta e ndryshe shtetndërtimi. Sot Europa e Amerika kërkojnë shtet gjithëpërfshirës.
Interpretuar sot: Shteti i Kosovës përveçse produkt i përpjekjes së brendshme shekullor është produkt edhe i një ndërhyrjeje ndërkombëtare të Amerikës dhe Europës. Ata e kanë projektuar shtetin mbi një pakt; mbi paktin e përfshirjes së minoriteteve, veçanërisht të minoritetit serb pasi lufta ka qenë shqiptaro-serbe. Pakti i përfshirjes së minoriteteve është më së pari mekanizëm sigurie dhe për të mundësuar stabilitet të brendshëm. Së dyti ai përputhet me kohën kur Kosova është shpallur shtet. Koha e Europës multikulturale. E nuk mundesh të shkëputesh prej kontekstit dhe sistemit ndërkombëtar brenda të cilit ndodhesh, sidomos nëse je shtet i ri në konsolidim e sipër.
Shteti ka detyrime ndërkombëtare, përveçse detyrime kombëtare. E nëse shkel detyrimet ndërkombëtare shkakton probleme dhe dëmton shtetin. Dëmton besueshmërinë dhe kërcënon sistemin; si rrjedhojë i detyron të tjerët të reagojnë kundër teje. Fjalavjen, përfaqësuesja amerikane kishte reaguar kundër vendimit të KQZ për të përjashtuar një parti të minoritetit serb.
Ahmet Isufi që përmenda ka qenë komandant i UÇK-së, mbahet mend që u rrah me rusët atëherë bashkë me Ramushin. Ky komandant dhe komandantë të tjerë të cilët kanë luftuar dhe ua ka djegur plumbi trupin, ose kanë vëllezër e familjarë të vdekur, dëshmorë e heronj, kanë arritur ta kuptojnë paktin dhe detyrimin ndërkombëtar, ta kuptojnë rrezikun që i sjellin Kosovës nëse shkelin paktin. Shumë mirë ata mundeshin të deklaronin: “Nuk duam asnjë serb këtu, kemi luftuar, serbët nuk e meritojnë sepse e kanë zemrën në Beograd..”. Me ketë sjellje do ta ekzaltonin popullsinë, katunarinë, injorancën, do të ushqenin ndjenjat e këtyre. Mirëpo nuk e kanë bërë sepse e dinë rrezikun.
Çfarë ndodh? Ngrihen aktivistët e çiftit Albin Kurti e Sami Kurteshi të cilët as kanë shkrepur pushkë, as kanë familjarë të vrarë, kanë bërë gjithë kohën veç llafe knej e llafe anej. Jo veç na dalin patriotët më të mëdhenj por Gjoja këta nuk e duan Serbinë, këta luftojnë me Serbinë, ndërsa ata të tjerët që kur ka qenë vakti kanë luftuar, ata qenkan me Serbinë sepse duke mos përjashtuar serbët, po i shërbejnë Serbisë. Intimidim me propagandë.
Në planin e brendshëm këta aktivistët bosh, ekzaltojnë më shumë popull e katunari, gati-gati i nxjerrin këta të tjerët si të lidhur me Serbi, veç pse këta përpiqen të mbajnë paktin mbi të cilin është themeluar republika. Krejt kjo për synim elektoral, duan që në zgjedhjet e tetorit të thonë; Ne e përjashtuam Listën Serbe por Apeli për Ankesa e Parashtresa na e rrëzoi vendimin, pra ne po na lufton sistemi i 25 viteve të shkuara.
Në planin e jashtëm në mardhëniet me ShBA e BE, këta e shkatërrojnë Kosovën. E paraqesin Kosovën si shtet me elitë joprestigjoze, shtet me institucione militanteske e të cilat nuk respektojnë paktin ndërkombëtar. Kështu i forcojnë pretendimet e Serbisë se në Kosovë ka shtypje dhe përjashtim të serbëve. I japim mundësi Serbisë të forcohet në lobimin kundër Kosovës.
Nëse në Listën Serbe ka elementë kriminalë, ata duhen faktuar dhe duhen arrestuar. Kjo arrihet në bashkëpunim dhe kordinim me ShBA, Gjermani e Britani; kur i arreston në bashkëpunim me këta, nuk ke kosto e çmim për të paguar. Nuk mund të përjashtohet një parti nga zgjedhjet e gjitha në bllok si parti, veçpse disa persona brenda saj kanë shkelur ligjin. Partitë nxirren jashtë ligjit me vendim të një gjykate nëse ideologjia e tyre nuk përputhet me Kushtetutën.
Gjithçka tjetër mund të ngjajë romantikisht e bukur, mund të japë efekt elektoral duke e ekzaltuar katunarinë dhe popullsinë, mirëpo ka kosto shkatërruese për shtetin dhe perspektivën e shtetit. Nëse Kosova ka më të rëndësishëm ekzaltimin e katunarisë sesa garancitë ndërkombëtare, le të vazhdojë. Veç nuk e kanë mirë.
PS: Dimë të gjithë të bëjmë thirrje për përzënie e dëbim të serbëve dhe të dukemi gjoja patriotë por, ai është patriotizëm i telit të sharkisë. Patriotizmi taman është patriotizmi i zgjuarësisë dhe strategjisë.



