“Distanca higjenike” që ngjan me letër higjenike- mban erë!

spot_img
Advertisements

nga Alba Kepi

Për herë të parë Linda Ramën e kam parë pak muaj më parë, duke hyrë në hollin e një hoteli luksoz në Tiranë. E veshur si për një film noir: pantallona dhe xhaketë lëkure, kapele lëkure, syze alla-Beatles, gjithçka e zezë. Për dore mbante djalin, edhe ai me syze e maskë, i rrethuar nga truproja. Një hyrje që nuk të linte të kuptoje nëse ishte skenë jete reale apo kapitull i shkëputur nga “il padrino”.
U zhduk pas hollit të hotelit me “ekipin” e saj duke lënë shijen e një surrealizmi fshataresk në ambient.

Pak orë më parë e pashë po të njëjtin imazh të riprodhuar në një kopertinë reviste shqiptare, shoqëruar me një intervistë që hapet me fjalinë: “Kam 12 vite pa dalë në një kopertinë”.
Një pohim që kërkon të komunikojë një distancë të gjatë nga mediat, por që bie ndesh me realitetin: sepse Linda Rama është shfaqur kohët e fundit në prime time, në emisione politike, sociale, madje edhe në media të huaja – dhe jo për të folur për art apo kulturë, por për të mbrojtur bashkëshortin e saj, kryeministrin.

Në intervistë flet për një “distancë higjenike” nga pushteti. Por distanca, siç e kemi parë, nuk është gjë tjetër veçse një figurë stilistike si look-u që komunikon.
Kjo distancë nuk ekziston. Përkundrazi, çdo dalje publike e saj është një afrim i drejtpërdrejtë me pushtetin e nga distancë bëhet letra higjenike – nuk pastron, vetëm fshin përkohësisht dhe lë “një aromë” pisllëku.

Në vendet me demokraci të konsoliduar, bashkëshortja e një kryeministri nuk quhet “first lady” dhe zakonisht rri në hije, ruan një profil diskret, nuk del në prime time për të bërë avokatin e pushtetit.
Në Shqipëri, kemi shpikur një kategori të re: një figurë që s’është as politikane, as thjesht private, por që hyn e del në skenën publike sipas nevojës së qeverisë – një lloj role bonus në shfaqjen e gjatë të pushtetit.

Prandaj, kur flitet për “distancë higjenike”, publiku nuk e blen dot këtë retorikë.
Është për një ambalazh fjalësh.

E vërteta është përfshirje aktive dhe e përsëritur në strategjinë e komunikimit të pushtetit.
Në fund të fundit, kur politika shndërrohet në spektakël, edhe rolet dytësore kërkojnë dritën e skenës – qoftë edhe me lëkurë të zezë kokë e këmbë në mes të qershorit.

PS ky look agresiv e kjo intervistë e fundit më solli në kujtesë cizmet e Nexhmije Hoxhës që në fillim të “90 u shfaq me cizme lëkure deri në gju- një mesazh “force e agresiviteti” ndaj popullit që e urrente.

Latest articles

Related articles