Ndihmoi për shuarjen e zjarreve në Delvinë, Lapaj: A jeni gati të angazhoheni dhe ju?

spot_img
Advertisements

Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj një ditë më parë u shfaq në Delvinë teksa po ndihmonte në shuarjen e flakëve. Lapaj mori disa komente dhe ka reaguar. Ai thotë se në çastet e para të zjarrit, flakët mund të fiken edhe me bidona uji e mjete të tjera rrethanore.

Lapaj shprehet se banorët po përdornin kova me ujë, lopata, degë pemësh, bidona dhe gjithçka tjetër për të shuar flakët. Ai i sfidoi të gjithë ata që janë të gatshëm që t’i bashkohen aksionit si vullnetarë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Reagimi i Adriatik Lapaj:

Disa personave, në komente e statuse, nuk u pëlqeu aspak përse ishim dje në Delvinë, duke u angazhuar në mënyrë modeste për shuarjen e një vatre zjarri me bidona uji dhe degë pemësh.

Së pari, duhet të zbresësh pranë flakëve për të kuptuar se, në përballje me to, përdor çdo mjet që të jep një shans më shumë për t’i ndalur. Banorët përdorin kova me ujë, lopata, degë pemësh, bidona, gjithçka që kanë në dispozicion.

Së dyti, zjarret janë shumëdimensionale. Ka vatra të vogla që krijohen nga shkëndijat e përhapura nga era dhe që mund të ndalohen më lehtë, përpara se të përhapen dhe të marrin përmasa gjigande. Pikërisht këto vatra të reja mund të shuhen nga banorët me mjete rrethanore, pa pasur nevojë për avionë apo zjarrfikëse.

Së treti, unë nuk jam zjarrfikës me profesion, as personat që më shoqëronin. Dje duke e parë nga afër sakrificën e tyre i admiroj e u jam mirënjohës pafund! Ka nevojë për një reformë të thellë për kushtet e tyre të punës dhe pagat.

Ne shkuam atje për të dhënë një mbështetje modeste, qoftë edhe thjesht si inkurajim për forcat zjarrfikëse. Shkuam t’u përcillnim një mesazh mbështetësve tanë: të mos qëndrojnë pasivë, por të angazhohen, edhe fizikisht, për të ndihmuar në përballimin e zjarreve në zonat ku banojnë.

Mes kondicionerit të Tiranës dhe shezlongut të Dhërmiut, ne zgjodhëm temperaturat përvëluese të Delvinës. Modestisht, aq sa mundëm!

Nga sa lexova një pjesë e cilësuan të papërshtatshëm reagimin tim, sikur nga bidoni po derdhja flakë e jo ujë! Sikur po ndizja zjarr, e jo që po përpiqesha t’i shuaja, qoftë edhe duke dështuar!

Pashë më shumë mllef ndaj një bidoni me ujë, sesa ndaj autorëve të kapur për zjarrvënie!

Arsyetimi ishte se ne gjasme po bënim “shoë” sa kohë e filmonim, se nuk shuhej zjarri me bidona.

Në fakt, dhe ai që ka filmuar ka ndihmuar në shuarjen e zjarrit pasi beteja me flakët ka qenë e gjatë ndërsa filmimi më pak se 2 minuta. Dhe po, do e filmonim për ta ndarë e për të motivuar njerëzit tanë.

Për të treguar nevojën reale të zonës. Për të rritur qoftë dhe presionin ndaj autoriteteve shtetërore për më shumë prezencë forcash dhe mjetesh. Për të kthjelluar edhe ndonjë që vë zjarre se pasojat janë të mundimshme. Është kulturë e vendeve demokratike angazhimi në komunitet. Edhe promovimi i angazhimit.

Dhe, për qetësimin e kujto që u rëndua shpirtërisht përse ne shkuam, pamë nga afër gjendjen, ndihmuam aq sa mundëm e ditëm, po bashkëngjis një video nga Turqia, aty ku populli nuk i shuan zjarret nga Facebook-u, por me bidona, kova e çfarë mundet.

Po e mbyll me një pyetje, sa prej jush jeni gati të angazhohemi e të shkojmë e të ndihmojmë? Me bidona, me lopata e me gjithë çfarë kanë nevojë njerëzit, aty ku shteti duket që ka djegur dhe ekzistencën e tyre

Latest articles

Related articles