Deputeti Erion Braçe ka dhënë disa këshilla për qytetarët, si dhe u ka bërë thirrje që të mos ndezin zjarre duke pasur parasysh që në ditët e fundit Shqipëria është në flakë.
Braçe u bën thirrje qytetarëve të lënë duhanin dhe të mos bëjnë skarë në oborr ndërkohë që temperaturat janë 40 gradë.
“Drama e Delvinës, edhe e Gramshit, Finiqit gjithashtu duhet të na bëjë të mendojmë për ato që janë gjëra të vogla dhe të thjeshta që mund të na shpëtojnë. Veçanërisht populli i fshatit, për të nxehtin e zjarreve.
Mos ndiz zjarr për asnjë arsye, mos ndiz zjarr qoftë në oborrin e shtëpisë tënde, qoftë edhe jashtë saj, atje ku është fshati i tërë, atje ku është ekonomia e fshatit, atje ku është ambienti, lëri mbetjet e baçes tënde, lëre duhanin, lëre duhanin këto ditë, mos e hidh cigaren atje ku bari është i tharë, mos thyej një shishe dhe ta lësh atje ku bari i thatë mund të marrë zjarr në këto kushte ku nxehtësia është e tmerrshme.
Mos bëj skarë, mos bëj skarë në 40 gradë, mund të hash edhe brenda shtëpisë tënde mbi sobën me korent. Pra janë gjëra të thjeshta, harroje shkrepësen këto ditë”, thotë Braçe.