Nevojën për reformim të Partisë Demokratike dhe ndryshim të lidershipit të saj e pranon dhe Myslim Murrizi. Si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike pohon një intervistë për A2CNN se përgjegjësia për humbjen në 11 Maj nuk është vetëm e Berishës, ndaj propozon mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm për analizim të situatën dhe riformatim të strukturave drejtuese.
“PD në deklarimet publike, por edhe në pohimet e zotit Berisha është thënë që do presin raportin e OSBE/ODIHR dhe do të mblidhen. Por unë mendoj se është në limite, pasi në Prill është bërë Kuvendi, por nuk ka asgjë të keqe që të bëhet një Kuvend të jashtëzakonshëm për të kompozuar një Këshill Kombëtar tjetër dhe një Kryesi tjetër, duhet të lëvizë. Përgjegjësia nuk mund t’i ngarkohet një individi”, tha Murrizi.
Por sërish tregon se ka ambicie brenda radhëve të Partisë Demokratike, duke shpallur kandidaturën nëse në selinë blu do të ketë zgjedhje për lidershipin.
“Nëse hapet gara, nëse do të ketë garë për kryetar partie, unë por edhe të tjerë, do ta konsiderojmë marrjen pjesë në gare, pasi nuk është me emërim. Por që nëse Berisha tërhiqet, dhe nuk do të ndikojë në garë, të jetë i bindur që do të jetë një garë e fortë me plotë emra dhe unë nuk mendoj se vuan për emra për kryetar”, tha Murrizi.



