nga Ergys Mërtiri
Për çdo njeri normal drafti i kodit të ri penal kishte realisht një tufë idiotësish të cilat, ndër të tjera, sjellin hapa mbrapa lidhur me lirinë dhe të drjetat e njeriut. Nëse miratohet, ky draft krijon mundësi për abuzim serioz kundra lirive të individit ndërsa nga ana tjetër ofron butësi dhe tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Për këtë arsye pati një mori reagimesh me humor e indinjatë ndaj një përpjekjeje të tillë absurde për të kthyer mbrapsht rrotën e historisë së tranzicionit shqiptar.
E megjithatë Edi Rama ka reaguar sot me cinizëm ndaj atyre që “alarmohen” për kodin, duke u shprehur se nuk ka asgjë për tu shqetësuar pasi ky draft është publikuar pikërisht për të mbledhur opinione në mënyrë që ai të përmirësohet. Sipas tij, problem më serioz se idiotësirat represive ndaj lirisë që harton qeveria, është “masa e atyre që bëjnë sherr” të shqetësuar se mund t’iu cënohet liria.
Në fakt, ajo që Kryeministri e quan “mbledhje demokratike opinionesh”, është më shumë një test për të provuar kurrizin e kësaj shoqërie, deri ku mban. Realisht kodi reflekton perspektivën totalitare të qeverisë dhe shfaq qartë bezdisjen që ky pushtet, ndonëse i pa rrezikuar nga asgjë, ka ndaj çdo shfaqje lirie. Ky mentalitet shfaqet edhe në reagimin e Kryeministrit, i cili përballë aktit të testimit që qeveria i bën tolerancës së shoqërisë ndaj shtypjes së pushtetit, konsideron problem më të madh reagimet alarmante të publikut ndaj popozimeve ligjore që dhunojnë lirinë e individit.
Edhe në qofshin të ekzagjeruara, reagimet në mbrojtje të lirisë janë të shëndetshme në një shoqëri normale, kurse provat teknike kundër lirisë, edhe në qofshin jo-serioze, të pamenduara mirë, ose thjesht nga budallëku momental i ekspertëve të paaftë në ditë të nxehta verore, është një kërcënim për çdo shoqëri demokratike. Demokracia, siç është thënë e stërthënë, nuk është diçka që, pasi e ke fituar, duhet të flesh i qetë se ke shpëtuar njëherë e mirë, por ajo është diçka që duhet mbrojtur çdo ditë. Pra, kërcënimi shoqërisë nuk i vjen qoftë edhe nga ata që i fryjnë kot kosit, por pikërisht nga ata që kërkojnë të vënë në gjumë vetëdijen e një shoqërie si kjo, të djegur e stërdjegur vazhdimisht nga qulli i pushteteve të korruptuara e represive.
Për këtë arsye, Kryeministri do bënte mirë të tërhiqet me lezet e të mos i fryjë më kësaj idio-paudhësie.



