Kompania e ndërtimit “Halisof”, në pronësi të Klaudio Riko, e njohur më së shumti për ndërtimin e kompleksit turistik ‘Olea” në zonën e Dhërmiut, është kapur në flagrancë duke kryer punime pa leje, për një tjetër resort, po në të njëjtën zonë, të emërtuar projekti “Veil”.
Në 5 qershor 2025, Policia e Vlorës ka konstatuar se punimet në këtë fshat turistik po kryheshin pa lejen e Bashkisë së Himarës. Siç ka ndodhur edhe më parë me kompaninë investitor strategjik “Soleil & Sea”, edhe në rastin e “Halisof” shpk, policia, përballë kësaj paligjshmërie, ka goditur hallkën më të dobët.
Në pranga u vendos inxhinieri zbatues i punimeve, Ilir Zh. Inxhinieri ka sqaruar se të gjithë dokumentacionin dhe urdhërat për punimet i ka marrë nga administratori dhe njëkohësisht pronari i “Halisof” shpk, Klaudio Riko.
Por, policia fillimisht, e më tej prokuroria e gjykata, kanë zbatuar penalitetet vetëm mbi inxhinierin 50-vjeçar, pa shkuar më tej, tek drejtuesit dhe njëkohësisht urdhëruesit e punimeve pa leje.
Ilir Zh. u vendos nën masën e sigurimit “arrest në shtëpi” nga gjykata e Vlorës në 6 qershor 2025, nën dyshimet se ka kryer veprën penale të “Ndërtimit të Paligjshëm” për qëllime përfitimi, pavarësisht se “përfitimi i vetëm” i tij ishte paga në kompaninë “Halisof”.
Resorti “Veil”
Në mbledhjen e datës 28 janar 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, kishte në rend të ditës edhe pikën: “Leje Zhvillimi për objektin: “The Veil” – Kompleks me funksion rezidencial dhe hoteleri, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Halisoft” sh.p.k dhe “Maurea” sh.p.k”.
Nga një verifikim që kreu “Boldnews.al” në kohën e publikimit të këtij shkrimi, vendimi ende nuk rezulton i zbardhur. Megjithatë, sipas deklarimeve të dhëna në polici nga inxhinjeri i arrestuar, duket se leja është miratuar nga Këshilli i drejtuar prej kreut të qeverisë, Rama dhe se bëhet fjalë për ndërtimin e vilave dhe strukturave të tjera hoteliere në bregdetin e Jonit.