Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama mblodhi ndërtuesit për t’iu prezantuar vizionin e tij dhe reformat që do të ndërmerren për këtë sektor.
Një nga shqetësimet e ngritura nga shefi i qeverisë ishte metoda e financimit të sektorit përmes shitjes së apartamenteve në ajër.
“Në mënyrë që ndërtimi të mos bazohet tek parashitja dhe të mos bazohet tek kleringu, sepse janë dy forma që ishin të kuptueshme dhe të pranueshme për një periudhë të caktuar kohe, por nuk mund të jenë më as të kuptueshme, as të pranueshme sot, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi”, tha Rama.
Por ndërsa kryeministri kërkon ndalimin e kleringut dhe shitjes së hiçit, një kompani e qeverisë në Durrës po bën namin duke shitur apartamente në ajër.
Durrës Marina, shoqëria e themeluar posaçërisht për të realizuar resortin e madh turistik në Portin e Durrësit si ortakëri mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenin Mohamed Alabbar raportoi 4.17 miliardë lekë ose gati 43 milionë euro arkëtime nga kontratat me klientët, ndonëse aktualisht godinat e saj janë në fazat fillestare të ndërtimit.
Shit dhe ndërto

Durrës Marina u ngrit në formën e shoqërisë aksionare për të realizuar projektin turistik në Portin e Durrësit. Ajo zotërohet në masën 67 për qind nga shoqëria Eagle Hills e Mohamed Alabbar dhe 33 për qind nga qeveria shqiptare, përmes kompanisë Albanian Seaports.
Kompania filloi punimet në terren në korrik të vitit 2023 dhe deri në fund të vitit të kaluar ajo kishte në proces ndërtimi 3 godina, të emërtuara A01, A02 dhe A04.
Sipas të dhënave nga bilanci zyrtar, Durrës Marina ka shpenzuar në total 44 milionë euro për punimet që ka në proces. Nga këto para 35 milionë euro janë shpenzime për zhvillimin e projektit dhe ndërtimit të godinave, ndërsa 9 milionë euro janë kosto për përmirësimin e infrastrukturës.
Me pak fjalë, kompania është duke iu përmbajtur saktësisht modelit shit dhe ndërto, pasi shuma e arkëtuar nga shitja e apartamenteve në ajër është e barabartë më kostot e punimeve në proces.
Modeli
Durrës Marina i shet apartamentet përmes një marrëveshje standard. Sipas saj 40 për qind e parave për blerjen e apartamentit duhet të paguhen pa filluar ndërtimi.
Më saktësisht, marrëveshja parashikon se 20 për qind e çmimit total paguhet brenda 5 ditëve nga marrëveshja paraprake e shitjes dhe 20 për qind të tjera paguhen brenda 6 muajve nga data e lejes së ndërtimit.
Kjo bën që Durrës Marina të mos ketë nevojë fare për financim nga bankat, të paktën deri në këtë fazë, pasi kompania arkëton nga kontratat dhe ndërton.
Megjithatë projekti i Durrësit është ende larg realizimit. Ata që kanë parapaguar për apartamentet e tyre do t’u duhet të presin vite të tëra për të marrë banesat e tyre.
Durrës Marina pritet të gjenerojë rreth 3.2 miliardë euro të ardhura në total, nga të cilat pjesa dërrmuese do të vijnë nga shitja e apartamenteve.