BE i jep një goditje të rëndë marrëveshjes Rama-Meloni në Gjadër

spot_img
Advertisements

Shpallja e një vendi të tretë si “i sigurt” duhet t’i nënshtrohet një kontrolli gjyqësor efektiv.

Kështu ka vendosur Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke u shprehur mbi padinë kundër procedurës së kufirit që aplikohet në Qendrat për Riatdhesim (Cpr) në Shqipëri.

Vendimi vjen pas një kërkese nga Gjykata e Romës, që po shqyrtonte rastin e dy qytetarëve nga Bangladeshi, të cilët pasi u shpëtuan në Mesdhe nga autoritetet italiane, u transferuan në qendrat e pritjes në Shqipëri, sipas marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë.

Dy shtetasit kishin kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, por kërkesa iu hodh poshtë nga autoritetet italiane, me arsyetimin se Bangladeshi është shpallur si “vend i sigurt” nga ligjvënësit italianë në tetor të vitit 2024.

Por sipas Gjykatës së BE-së, kjo shpallje duhet të bazohet në burime të hapura dhe të besueshme informacioni, të cilat duhet të jenë në dispozicion si për azilkërkuesin, ashtu edhe për gjykatën kombëtare.

Për më tepër, gjyqtari duhet të jetë në gjendje të verifikojë nëse vendi i shpallur i sigurt ofron realisht mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë qytetarët e tij.

Gjykata e BE-së thekson se çdo procedurë e përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesave për azil mund të zbatohet vetëm nëse vendimi për shpalljen e një vendi si i sigurt mund të kundërshtohet në mënyrë efektive nga azilkërkuesi dhe të kontrollohet nga një gjykatë e pavarur.

Kjo hedh poshtë qasjen e mëparshme të gjykatave italiane, të cilat i kishin lënë këtë kompetencë vetëm në duart e ministrave.

Sipas opozitës italiane, ky vendim përbën një dështim të qartë të politikës së qeverisë Meloni.

Deputeti Nicola Fratoianni e quajti vendimin një “goditje të rëndë” për tentativat e qeverisë për të anashkaluar të drejtën ndërkombëtare.

Ndërsa Riccardo Magi nga +Europa tha se kjo është një “humbje” e Melonit, dhe sipas tij, ky vendim duhet të shënojë fundin e idesë për një “Guantanamo italiane” në Shqipëri.

Edhe Enrico Borghi nga Italia Viva deklaroi se vendimi “vërteton dështimin total të modelit Shqipëri” që ishte promovuar fuqishëm nga qeveria aktuale.

Latest articles

Related articles