nga Edmond Harizaj
Kokëfortësia manjakale e Berishës për të mos lëshuar deri në vdekje Partinë Demokratike, ka nisur të japë dukshëm efektet e mbrapme, që s’dihet si dhe ku e kanë fundin.
Demokracia në Shqipëri ka hyrë në fazën më qesharake. Pas katërvjeçarit të parë dhe të dytë, ku në qeverisjen e PS zinin vend anëtarë të thjeshtë të PD, që zëvendësonin besnikërinë për një rrogë, në dy mandatet e fundit në rresht janë vënë për pozicione të larta eksponentë të rëndësishëm të PD në qendër apo rrethe. Arsyeja lidhet përherë dhe gjithmonë me Berishën, pavarësisht nëse njerëzit shkëputen dhe “bien dakord” për interesa vetjake, arsyetimi i largimit përplaset mbi zhdukjen e demokracisë në PD.
Lufta që PD prej kohësh bën vetëm dhe vetëm për liderin e saj, ka shmangur betejat reale për ekonominë dhe investimet në vend, duke e bërë shtetin punëdhënësin e vetëm serioz dhe me bonuse, vende pune që përdoren si karrem për eksponentët më sipër.
Berisha me strategjitë e tij të 1992-shit, i ka dhënë mundësi Ramës që të kontrollojë pa kokëçarje çdo aspekt të jetës, çdo institucion, praktikisht të jetë ai mbi çdo gjë dhe mbi gjithçka, qofshin këto mendime, ide, projekte, njerëz, firma, ligje…
Rama nuk e do ikjen e Berishës. Janë me mijëra e mijëra vota që shkojnë për PS vetëm se “nuk votoj Berishën”. PD me Berishën s’ka për ta mundur kurrë Ramën.
Të dyja partitë janë kthyer në pasqyrë të njëra-tjetrës, ku nivelet e dyta dhe të treta, grinden e hanë kokat mes tyre, kush të qëndrojë tek këmbët e udhëheqësit dhe t’i pastrojë çorapet. Ai që guxon më shumë, asfiksohet.
Detyra për shumë shqiptarë, që të çlirojnë vendin nga ky uzurpim i dyfishtë, është kaq e vështirë. Për herë të parë në histori duhet të shkulen nga vendi dy diktatorë. Si mundet të shkulen dy diktatorë njëherësh, kur përgjatë historisë nuk kemi mundur të shkulim dot një të paktën?!