Pas ndërhyrjes për lirimin e hapësirave publike nga baret dhe restorantet, qeveria ka vënë në fokus lavazhet që funksionojnë në mes të lagjeve. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar heqjen e tyre, duke i bërë thirrje pronarëve që t’i largojnë vetë për të shmangur gjobat.
“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka, t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale, të shoqëruar me pamje nga ndërhyrjet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Nisma vjen si pjesë e fushatës për lirimin e hapësirave publike dhe mbrojtjen e mjedisit urban.



