Me ndryshimet e reja ligjore, qeveria parashikon masa represive ndaj ndërtuesve që shkelin lejet e ndërtimit. Ndërsa mori pjesë në prezantimin e një start up-i të krijuar nga të rinjtë, për financimin e sektorit të ndërtimit, kryeministri Edi Rama tha se do të kenë një listë të zezë për ndërtuesit që shkelin lejet e ndërtimit dhe se masat do të jenë të ashpra, si përshembull nuk do tu jepet më leje ndërtimi.
“Karrota nga një ana, shkopi nga ana tjetër, në të kundërt e kemi të pamundur, mund të humbasim shans historik dhe s’do afrohet njeri për të financuar. Këto projekte të mëdha s’mund të realizojmë siç duhet duke u mbështetur tek shitja në gropë, tek klerinku dhe blerësit e rastit brenda vendit. Listë të zezë për ndërtuesit që nuk respektojnë rregullat, pamundësi për të marrë leje”, tha Rama.
Masa të ashpra parashikon edhe për arkitektët të cilët do të vendosen përballë përgjegjësisë ligjore në rast se ndërtimi ka devijuar nga projekti për të cilin është dhëna leja. Ky është një ndër problemet me të cilat po përballemi aktualisht, tha kryeministri Rama, duke theksuar se ndërtuesve u jepet leja dhe më pas ndërtimi shkon në drejtim të paditur. Rama kujtoi se kantieret e ndërtimit do kenë kamera 24 orë.



