Ditari Publik (25 korrik 25), nga Indrit Vokshi
Mbrëmë Hashim Thaçi dha intervistë nga Haga (intervistë me shkrim). Përgjigjjet e tij nuk ishin përgjigjje prej kryetari partie por prej personaliteti përmbi partitë. Ai foli “si baba i shtetit”, paçka se ky titull është mitizim. Para dy ditësh pashë një prononcim të Ibrahim Rugovës të vitit 1999, ku e pyesnin për Thaçin. Rugova midis asaj armiqësie të egër mes LDK e LPK, arriti u ngrit lart dhe tha se Thaçi ka vendin e tij, se Kosova jonë nuk duhet të bjerë viktimë e përçarjeve por duhet të ndërtojmë një bashkim plural. Sot edhe mund ta thuash ketë fjali por asokohe kishte kuptim tjetër dhe rëndësi tjetër.
Hashim Thaçi ma kujtoi intervistën e Rugovës si lartësi mendore ku politikani arrin të ngjitet. Politikanët aktualë të Kosovës janë të mbytur në kalkulime banale partiake, ata nuk po arrijnë t’i themelojnë institucionet. Duhet kujtuar se Ibrahim Rugova edhe pse pati fituar thellë dhe kishte popullaritet absolut, ia dha postin e kryeministrit Ramush Haradinajt, një partie tjetër, vetëm për të krijuar stabilitet në një kohë me shumë rreziqe. Edhe Hashim Thaçi për të mos shkaktuar krizë institucionale ia ka dhënë postin e kryeministrit edhe Ramushit edhe Isa Mustafës, ka shkuar vetë zëvëndës i Isa Mustafës dhe ministër i tij. A mundeni ta imagjinoni dikë tjetër duke shërbyer si zëvëndës i kryetarit të partisë kundërshtare? Jo, nuk mundeni.
Hashim Thaçi ua dha një leksion, sikur të ishte analist ndërkombëtar i cili e njeh thellë me rrënje gjendjen politike. Në kushte normale intervista e Thaçit nuk do të ishte leksion, atë e ngre në nivel leksioni amatorizmi politik në Prishtinë.
Hashim Thaçi i ka “të gjitha të zezat” politike. Është figurë polarizuese sepse siç dihet, liderët karizmatikë polarizojnë. Mirëpo Hashim Thaçi është mirë të procedohet e të gjykohet për akte korruptive si kryeministër e si ministër. Gjykimi i tij duke shpallur liderët e UÇK si “ndërrmarje e përbashkët kriminale”, duke shkelur haptaz të gjitha rregullat, duke shkelur vetë objektin në kohë të Gjykatës Speciale, kërcet keq dhe denoncon vetë qëllimet e procesit.
Si përfundim, si Hashimi, si Kadria, si Jakupi, si Rexhep Selimi, ska gjë të keqe nëse dënohen për vepra konkrete, krime lufte, sipas definicionit për krimet e luftës; psh tiu dhuhet në filan datë, filan ngjarje, jeni të faktuar e të provuar që keni kryer krime lufte. Nuk duan t’i dënojnë kështu me prova konkrete, duan t’i dënojnë si “ndërrmarje kriminale” duke paraqitur vrasjet që ka kryer dikush tjetër, pa urdhër të provuar nga këta, vetëm mbi një nen ku thuhet “duhet ta kishin ditur e duhet ta kishin parandaluar”.
Kjo është poshtërsia.