Kush ua mbylli gojën “të burgosurve politikë” të Berishës për Veliajn?

spot_img
Advertisements

nga Ermal Peçi

Dje, SPAK zyrtarisht i komunikoi akuzat Erion Veliajt. Në çdo vend normal kjo do të shënonte një moment llogaridhënieje, për drejtësinë, për qytetarët, për vetë klasën politike. Po në Shqipëri, si gjithmonë, fjalën e merr ai që ka më shumë hall për veten, Sali Berisha. Nga selia e PD-së, jo vetëm që nuk dëgjoheshin kërkesa për drejtësi, por Berisha merrte publikisht mbrojtjen e “armikut” të tij politik të përjetshëm, njësoj si Ahmetaj dikur. Si gjithmonë, kur drejtësia prek majat.

Atëherë lind pyetja që nuk duhet të shmangim: Kush ua mbylli gojën “të burgosurve politikë” të Berishës?

Sepse asnjë prej atyre që vetëshpallen sot opozitarë, që betohen për luftë ndaj korrupsionit, nuk guxon të përmendë emrin e Klotilda Bushkës. Dhe nuk bëhet fjalë për thashetheme. Sipas dokumenteve të SPAK, deputetja socialiste dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve dyshohet se ka ndikuar në intimidimin e dëshmitarëve, manipulimin e provave dhe pengimin e hetimit ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij.

Në çdo vend serioz, kjo do të përfundonte me dorëheqje, kërkim faljeje dhe ndëshkim. Në Shqipëri? Heshtje totale.

Sepse kur drejtësia nis të prekë ata që kanë “marrëveshje të heshtura”, të gjithë bëhen shurdh dhe memecë. Madje edhe ata që dje përshëndesnin arrestimet dhe ftonin SPAK-un “të mos ndalet”.

Sot, Berisha mbron Veliajn, dje mbronte Ahmetajn. Nesër, ndoshta edhe Ramën, sepse nuk ka rëndësi kush është në pushtet, rëndësi ka që drejtësia të mos i prekë tanët. Kur ndodh kjo, SPAK nga hero bëhet “vegël politike”.

PD zyrtare? Në vend të reagojë për Bushkën, mbyll sytë dhe bën sikur s’ka ndodhur asgjë. Pyetja është: kjo është frikë, apo është pjesë e një pazari të heshtur për të ruajtur ndonjë aleancë të fshehtë nesër?

Koha ka treguar që kur drejtësia përplaset me pushtetin, klasa politike shqiptare ka vetëm një instinkt: të mbrojë njëra-tjetrën.

A mund të kemi një moment koherencë dhe ndershmëri politike. Opozita që hesht kur duhet të flasë për Bushkën dhe Veliajn, por ulëret për Ramën e të tjerët, nuk është opozitë, është pjesë e të njëjtit sistem që e ka mbajtur Shqipërinë peng.

Drejtësia nuk mund të jetë me dy standarde. Nuk mund të jetë “e mirë” kur arreston kundërshtarin, dhe “e kapur” kur troket në derën e mikut.

Heshtja e qëllimshme politike nuk është as neutralitet, as maturi.
Është bashkëfajësi.

Latest articles

Related articles