Kur “tërmeti” vjen nga lart | ANALIZA

spot_img
Advertisements

Kur Edi Rama nisi të merrej pak javë më parë me disa vazo dhe tenda të pabindura baresh e restorantesh në Vlorë që kishin zënë hapësirat publike, shumëkush mendoi se kjo ishte një përpjekje verore e Kryeministrit për të mbajtur të tendosura strukturat e tij qeveritare, mes temperaturave afrikane që rriteshin çdo ditë, disa vakancave të shpallura e të pashpallura në pushtetin vendor, pritshmërive për formimin e qeverisë së re në shtator dhe afshit drithërues që vinte nga fitorja plebishitare e 11 majit.

Kështu nuk rezultoi. Tendave e vazove ua zuri vendin “përbindëshi” që rivalizonte kishën në Theth e më tej akoma dhjetëra e dhjetëra zaptime të hapësirave publike, nga Konispoli në Vermosh, që të gjithë i kishin para syve, por askush nuk i kish parë ndër dhjetëra e qindra inspektorë e zyrtarë strukturash vendore e qendrore.

Çfarë ndodhi më tej, nuk ishte më një histori vazosh e tendash, por një operacion administrativ e publik, që duket se hedh baza të shëndosha për një “tërmet” të vërtetë në qeverisje në vjeshtën e këtij viti. Për ta kuptuar këtë më qartë, mjafton të fotografojmë me ftohtësi gjendjen aktuale të elementëve të orkestrës, që Rama po dirigjon mes vapës përvëluese.

Së pari, në strukturat vendore me valën e dorëheqjeve me “propozim nga lart e miratim nga poshtë”, duke përfshirë administratorë, drejtorë e nënkryetarë bashkish, është i guximshëm ai që di të thotë se çfarë do të ndodhë më tej. Dukshëm kryebashkiakët janë zënë në çark dhe në mënyrë të merituar po fshikullohen në publik për një administratë, jo shërbëtorësh ndaj qytetarit, por burokratësh “oreksmëdhenj” të ngopur e të pangopur me pushtet dhe jo vetëm. Fakti që Edi Rama duhet t’i “rrahë” ata në publik (një formë që ngjall diskutime, por që duket efikase), në mënyrë që drejtoritë e strukturat e bashkive të lëvizin për zbatimin e ligjit, dëshmon qartë sa të dedikuar kanë qenë “qafëtrashët” e bashkive.

Së dyti, deputetët kanë rinisur tashmë xhirot nëpër lagje e takimet, që menduan se i kishin mbyllur me sigurimin e mandatit. Kioskat pa leje, parkingjet abuzive dhe shumë paligjshmëri në territor që nuk ua zuri syri vetëm pak muaj më parë, sot i denoncojnë me kënaqësi, pas kërkesës së kryeministrit. Parlamentarët e rinj e të vjetër, fitues dhe jofitues, janë kthyer në “pedalistë” kilometrash për të mbikqyrur territorin dhe për të rritur presionin ndaj administratës. Një situatë që i vendos jo pak në siklet të sapodalë nga një fushatë, ku nderet e premtimet janë pjesë organike e lojës. Por në “vallen” e re të nisur nga Rama, shumë pakte duhen prishur dhe shumë angazhime duhen kthyer.

Së treti, struktura qeveritare qendrore është zgjuar befas nga qetësia pritëse për ekzekutivin e ri në shtator. Vetë kjo administratë po shkruan në raporte e analiza një arkitekturë krejt të re, shpeshherë të ndryshme, inspektoratesh, drejtorish e manaxhimi shërbimesh, lejesh e licencash. Ajo që ishte menduar si një periudhë studimi dhe projektimi për qeverisjen e re, po rezulton një periudhë aksioni dhe prove, ku duhet dëshmuar reagim i shpejtë dhe angazhim maksimal. Çfarë është bërë duhet parë me sy kritik dhe çfarë nuk është bërë duhet nxjerrë nga poshtë tryezësh si një angazhim i ri. Një autogol, ku disa nga ministrat janë më të zëshëm e disa më të rafinuar.

Në këtë panoramë, tërmeti i saponisur nga lart nga Edi Rama duket se do të sjellë një cunami, që askush nuk e di çfarë do të marrë përpara në vrullin e tij dhe ku do të ndalet. Kush e projektonte veten si ministër fuqiplotë, sot i duhet të merret me drejtoritë vendore në një bashki; kush mendonte se do të bënte ligjvënësin klasik dhe ndarësin e posteve të drejtorëve në zonën e tij, sot ngjan më shumë me inspektorin vendor të ndërtimit; kush mendonte se do të shijonte i qetë supersuksesin e 11 majit, sot angazhohet në komisione e mbledhje për të përzgjedhur disa drejtues vendorë si një shef i mirëfilltë burimesh njerëzore.

Kjo dallgë e madhe duket se do të kulmojë në shtator me ekzekutivin e ri, krejt të pangjashëm nga arkitektura aktuale. Me sa duket, kur Edi Rama ta shpallë në fundgusht ekipin e tij dhe objektivat afatshkurtër e afatgjatë, do të lexohet qartë se beteja me vazot ishte starti i një shkundjeje aq të shumëpritur nga lart që rrëzon edhe “më të paprekshmit”. Një tërmet që vjen nga lart, por shkul edhe themelet më të forta.

Elton METAJ, 22.07.2025

Latest articles

Related articles