Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, zhvilloi një tryezë pune me organizata të shoqërisë civile (OSHC) dhe partnerë ndërkombëtarë, me fokus në analizën e pesë viteve të funksionimit të institucionit dhe përcaktimin e prioriteteve për të ardhmen.
Në takim morën pjesë përfaqësues të OSHC-ve me të cilat ILD ka marrëveshje bashkëpunimi, si dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, ndër to: Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), Aranita Brahaj nga Open Data Albania, Arjan Dyrmishi nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Rovena Sulstarova nga IDM, Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, Emilia Llambro nga CEDI dhe Teisa Kurti nga Qendra Altri.
Gjithashtu, pjesë e tryezës ishin edhe përfaqësues nga Delegacioni i BE-së, OPDAT, Prezenca e OSBE-së, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe misioni EU4Justice, që mbështeti organizimin e aktivitetit.
Metani theksoi rëndësinë e dialogut me shoqërinë civile, duke e konsideruar atë një aktor të jashtëm me ndikim në punën e institucionit që ai drejton.
“Ky lloj komunikimi me organizatat e shoqërisë civile është thelbësor, pasi ju njihni mirë mënyrën se si funksionon Zyra e ILD-së. Pritshmëria jonë është për mendim të kualifikuar dhe këtë mund ta arrijmë përmes bashkëpunimit dhe transparencës”, u shpreh Metani.
Ai bëri një paraqitje të detajuar grafike mbi dinamikën e punës së ILD-së për vitin 2024, duke u ndalur tek funksionet kryesore si trajtimi i ankesave, hetimi dhe procedimi disiplinor, si dhe inspektimet.
Metani prezantoi edhe një panoramë të ecurisë së institucionit që nga viti 2020, duke theksuar objektivat për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit publik tek ILD dhe institucionet e drejtësisë.
Gjatë takimit, Metani iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve mbi aspektet kyçe të punës së ILD-së dhe zhvillimeve që lidhen me pritshmëritë publike ndaj institucionit.
Ai vlerësoi kontributin e organizatave të shoqërisë civile dhe nënvizoi rëndësinë e raporteve të monitorimit, siç ishte ai i fundit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
“Raportet e monitorimit janë tregues i një institucioni që mund dhe duhet të monitorohet. Edhe në rastet kur nuk pajtohemi me të gjitha gjetjet, kjo është thelbi i funksionimit demokratik: puna jonë të analizohet, vlerësohet dhe sfidohet”, theksoi ai.
Në mbyllje, pjesëmarrësit ndanë qëndrimin se kontaktet e tilla profesionale ndihmojnë në kuptimin e nevojave, prioriteteve dhe sfidave të përbashkëta, si për institucionin, ashtu edhe për aktorët e shoqërisë civile.