Prokuroria e Fierit ka dhënë pretencën për 3 personat e akuzuar, Albi Mecini, Ervis Cukali dhe Arafat Manërkolli, se po transportonin një sasi prej më shumë se 21 kg tritol në qytetin e Fierit.
Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa në momentin e kapjes me lëndë eksplozive policia informoi se kishte dyshime se do të kryenin atentat.
Prokuroria ka kërkuar dënimin me 18 vite burgim për Albi Mecinin, i cili përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohet nga gjykata do qëndrojë pas hekurave 12 vite.
Për Ervis Cukali, Prokuroria kërkoi dënimin me 14 vite burgim. Ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse dënohet nga gjykata do qëndrojë pas hekurave 9.4 vite.
I njëjti dënim si për Ervis Cukalin u kërkua edhe për Arafat Manërkolli, i cili do qëndrojë pas hekurave 9.4 vite nëse dënohet.