Marrëzia vrapon nga aksioni në aksion | ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Reldar Dedaj

Gjithmonë marrëzia ka magjepsur njerëzinë. Në Gjirokastër, në rrugën që dikur quhej “Sokaku i të Marrëve”, iu vu emri “Rruga e Pionierëve”, por emri i ri nuk jetoi gjatë. Sokaku i të Marrëve nuk do të vdesë kurrë. Kudo në botë marrëzia ka lënë shenja të pashlyeshme: ka mbetur emërtimi “Anija e të Marrëve”, “Margoja e të Marrëve”, “Vallja e të Marrëve”. Marrëzia ka fituar hierarki. Ajo ka dalë sheshit; në bulevard, në kafen e lagjes dhe në mes të fshatit. Disa tremben, disa nuk tremben aspak, por vetëm tregojnë me gisht, disa të tjerë sjellin në kujtesë të shkuarën. Tani, ajo ndodhet kudo, aty ku ndodhesh ti dhe ku ndodhemi të gjithë.

Por çfarë është marrëzia, për atë që po flitet gjithë këto ditë?

Në Shqipërinë e shekullit njëzet e një, kjo marrëzi është shndërruar në një koncert të gjatë, në një simfoni të zhurmshme dhe të trishtë; një rrëfim që nis në vitin 2013 dhe ende vazhdon të luhet me notat e saj të hidhura. Është një rrëfim i ndërtuar mbi premtime boshe, mbi heshtje që ngjitet si pluhur mbi shpresa, mbi zhgënjime që shpalosen si hije në një teatër pa dritë.

Nota e parë e kësaj simfonie u dëgjua në luftën kundër Lazaratit, atij fshati të vogël që kishte sfiduar shtetin dhe u bë simbol i një Shqipërie në kërkim të vetvetes. Blindat shkelën rrugët e ngushta, kamerat kapën çdo moment, si në një dramë të përgjakur, por pas zhurmës mbeti heshtja e kanabisit që u përhap si erë e rrëmbyer, duke kthyer vendin në një Kolumbi të Europës. Një dështim i pashmangshëm, një rrënjë që shtyhej thellë nën dheun e shoqërisë.

Në këtë lojë, fjala “reformë” është një fjalë e gjatë, e lodhshme dhe e ngatërruar; ajo kërkon durim, përballje me interesa të errëta, dhe hap pas hapi, ndërsa aksionet janë shpërthime që marrin frymë nga dëshira për vëmendje. Ato janë premtimet e dhëna me zë të lartë, ndërsa reformat janë ato qetësitë që rriten në heshtje, në gjurmët e papërshkueshme të kohës. Marrëzia i gjen aksionet si një rrugë të shkurtër për të mbajtur pushtetin, për të krijuar një armik të përbashkët, për të mbushur boshllëkun e frikës me imazhe që lënë shije të hidhura, por që depërtojnë lehtë në mendjet e njerëzve.

Në këtë teatër të përhershëm ku politika shndërrohet në spektakël, aksionet bëhen si ato dritat që ndriçojnë skenën për një moment dhe pastaj e lënë errësirën të pushtojë përsëri. Ato janë premtimet që fluturojnë me zhurmë të madhe, por që në thelb janë thjesht hijet e një realiteti të përmbysur, ku thellësia dhe koha nuk kanë vend. Pas kësaj erdhi aksioni për hapësirat publike, ku fadromat shembën ndërtimet pa leje dhe liruan hapësira. Por këto hapësira u mbushën shpejt me tufa hije; kullat e ngritura pa fund që ngrinë qiellin dhe mbyllën rrugën për qytetarin. Një këngë e trishtë për dëshpërimin urban, për qytetin që po fshihej nën betonin e egër.

A nuk dyshuan mijëra njerëz cila ishte marrëzia në momentin kur dëgjuan se 600 policë po kërkonin “fundin e marrëzisë”? Ky aksion erdhi si premtim për mbylljen e lojërave të fatit, por loja u zhvendos në sallat e mbushura me njerëz dhe shkëlqim në hotelet luksoze me pesë yje. Pikërisht aty ku ligji nuk shkon dot. Një tjetër teatër pa aktorë, ku krimi luante në heshtje.

Në vitet 2017-2018, “Shqipëria e pastër” u bë një kurth, inceneratorët u ngritën si mure të padukshme të korrupsionit, ku taksat e qytetarëve u dogjën nën hijen e klientelizmit. Fryma e pastrimit u shndërrua në erë të rëndë degjenerimi. Jo vetëm kaq. Me zhurmën e OFL-së që shfaqej si goditje ndaj pasurive të dyshimta, qeveria prezantoi një fytyrë të rreptë të ligjit. Por pas dritës së kamerave, krimi vazhdoi të lulëzonte.

Tirana dhe bregdeti u bënë një labirint i ngritur mbi beton dhe hekura, ku hapësirat publike u dogjën nën hijen e interesave të ngushta dhe të egra. Me mijëra hektarë tokë të grabitura apo të shfrytëzuara në mënyrë selektive, vendi u mbulua nga kullat e larta që hanin qiellin dhe gërryenin rrugët. Shkatërrimet në fshatin Theth dhe aksionet për çlirimin e hapësirave publike nga veriu në jug nuk mund të sjellin diçka ndryshe për jetën e qytetarit dhe mbi të gjitha, sic ndodh dhe sic është, s’mund të jenë as përjashtim nga rregulli.

Por marrëzia nuk ka fund.

Përsëri, në fund të dymbëdhjetë vjeçarit, socialistët kanë vendosur t’i paraqesin popullit ofertën për lumturi. Edouard Herriot, kryeministër francez, kur pati vizituar Ukrainën në kohën e urisë së madhe, pati takuar vetëm “fëmijë që qeshnin e që i thoshin atij se hanin pite me mish çdo ditë”.

Edhe në Shqipëri gjithnjë po ndodh që Edi Rama të thotë se po ju sjell lumturinë. Për dymbëdhjetë vite, asnjëherë nuk ndodhi që në fjalimin e fundit të tij, Edi Rama të thotë: “Ja ku e keni, ua solla.”

Kudo po shpaloset lumturia për popullin… Nuk e dimë a e kuptojnë njerëzit se sa e keqe është kjo? Popullit që i premtojnë lumturinë, po i sjellin iluzionin për herë të katërt. Lumturia, një fjalë aq e thjeshtë për t’u thënë dhe aq joshëse për njerëzit mesatarë, përbën rrezik shumë të madh për shoqërinë.

Latest articles

Related articles