Një qytet, një përgjegjësi: Politika në shërbim të qytetarisë

spot_img
Advertisements


Ardi Stefa
Në një klimë politike shpeshherë të mbingarkuar me përplasje dhe ndasi, është frymëzuese të shohësh sinjale bashkëpunimi që e vendosin interesin qytetar përpara çdo përkatësie politike.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë dhe thelbësore: për ndërgjegjësim kolektiv mbi pastërtinë, rregullin në qarkullim, parkimet e paligjshme dhe zaptimin e hapësirave publike, plagë të përditshmërisë urbane që cenojnë jetesën dinjitoze të çdo qytetari.

Thirrja e tij nuk ishte thjesht një apel administrativ, por një ftesë e hapur për bashkëpunim, angayhim e kontribut qytetar, përtej çdo bindjeje politike. Ai ka theksuar se “Vlora u përket të gjithëve! I përket çdo qytetari që e do dhe jeton në të; çdo vizitori që vjen dhe shijon bukurinë, mikpritjen, detin e malet tona!”

Më poshtë kryebashkiaku z. Dredha ka theksuar se: “Sot, më shumë se kurrë, Vlora ka nevojë për një angazhim qytetar dhe intelektual që shkon përtej ndasive politike, xhelozive personale apo hatërmbetjeve të vogla.”,- duke ftuar të gjithë qytetarët dhe forcat politike “të kontribuojnë me propozime konkrete në dëgjesa publike e të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve!”

Ai e përmbyll apelin e tij qytetar me mesazhin: “Duaje Vlorën si shtëpinë tënde, sepse Vlora është shtëpia jonë e përbashkët.”

Një mesazh i qartë që synon të kthejë qytetarët nga pasiviteti në pjesëmarrje aktive, ndërsa politikën nga kritika sterile në veprim konkret.

Reagimet e qytetarëve të ndryshëm ndaj thirrjes së kryebashkiakut kanë qenë të shumta e pozitive.

Por më domethënësja në këtë zhvillim është reagimi pozitiv dhe konstruktiv i Gjergji Nikës, njërit prej drejtuesve të opozitës në qytet, kreut të Demokratëve Euroatlantikë, njëherazi këshilltar bashkiak dhe një zë i fuqishëm në këtë këshill.

Përmes një postimi ai ka sqaruar se opozita nuk është armike e institucioneve lokale dhe drejtuesve të tyre, por kundërshtare politike që mbetet, megjithatë, pjesë e pandashme e përfaqësimit qytetar.

“Ne jemi kundërshtarë politikë që besojmë fort në një rol aktiv dhe të dobishëm në shërbim të qytetit. Ne nuk jemi “kundër për inat”, por jemi “përballë me arsyetim e argumentim”. Ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi, kemi frikë nga heshtja dhe skuthllëku. Dhe kur heshtja e skuthllëku bëhen rregull, papërgjegjshmëria merr fuqi.”- ka theksuar ai.

Një qëndrim që tregon maturi politike dhe një ndjeshmëri të theksuar ndaj nevojave reale të qytetit.

Më tej, Gjergji Nika u ka bërë thirrje qytetarëve për një ndërgjegjësim të ri në raport me qytetin. Ndërsa mazhorancës socialiste i kërkoi të tregojë vullnet të sinqertë dhe hapje të vërtetë ndaj bashkëpunimit, duke mos i përdorur sfidat urbane për përfitime politike apo propagandë. Kjo është një kërkesë legjitime, që reflekton frymën e një demokracie funksionale dhe të një bashkëjetese politike të shëndetshmeËshtë kjo fryma që ndihmon në ndërtimin e një qyteti më të drejtë, më funksional dhe më të përfshirës, aty ku llogaridhënia, dialogu dhe kontributi i përbashkët nuk mbeten vetëm fjalë.

Ky zhvillim duhet mirëpritur e përshëndetur. Ai shënon një hap domethënës drejt ndërtimit të një kulture të re politike në nivel lokal, një kulturë bashkëpunimi, ku politika i shërben qytetit dhe jo anasjelltas. Sfida të mëdha si trafiku kaotik, ndotja, ndërtimet pa leje dhe yaptimi i mungesa e hapësirave publike nuk zgjidhen me akuza e polarizim, por me plane të përbashkëta dhe vullnet të ndërsjellë për t’i dhënë qytetit një zhvillim të ri.

Kjo frymë e re dialogu është shembulli që ka munguar shpesh në politikën shqiptare, veçanërisht në nivel lokal. Dhe pikërisht në këtë nivel, aty ku politika prek përditshmërinë konkrete të qytetarit: ajrin që thith, rrugën që kalon, hapësirën ku ecën, koshin që përdor apo qetësinë që kërkon.

Është jetike që bashkëpunimi të jetë më i fortë se konkurrenca politike dhe interesi publik të mbizotërojë mbi interesin partiak.

Në fund të ditës, qyteti nuk ka ngjyrë politike. Ai ka vetëm një interes: jetesën e përmirësuar të qytetarëve të tij. Dhe kjo arrihet vetëm kur të gjithë, si shumicë e si pakicë, si administratë e si opozitë, shoqëria civile, media, dhe mbi të gjitha nga qytetarët të punojnë krah për krah për të njëjtin qëllim.

Tani është momenti të dëshmojnë të gjithë aktorët dhe faktorët në qytet, se fjala bashkëpunim nuk është një klishe, por një vlerë. Sepse kur politika largohet nga konfliktet dhe afrohet me qytetarin, fitojmë të gjithë.

Latest articles

Related articles