Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, Tulsi Gabbard, ka bërë një deklaratë të bujshme, duke kërkuar ndjekje penale ndaj ish-presidentit amerikan, Barack Obama, dhe disa prej zyrtarëve më të lartë të administratës së tij.
Sipas Gabbard, ata kanë qenë të përfshirë në atë që ajo e cilëson si një “konspiracion tradhtie” me qëllim për të diskredituar fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Në deklaratën e saj, Gabbard akuzon Obamën dhe bashkëpunëtorët e tij se kanë “fabrikuar inteligjencë të rreme” për të sugjeruar se Rusia kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve amerikane. Ajo pretendon se kjo skemë përfshinte përdorimin e një dosjeje të përgatitur nga ish-agjenti britanik i inteligjencës, Christopher Steele, e njohur gjerësisht si “dosja Steele”, të cilën administrata e Obamës, sipas saj, e përdori me vetëdije, ndonëse e dinte se ishte e pabesueshme.
“Informacionet që po publikojmë sot tregojnë qartë se ka pasur një konspiracion tradhtie në vitin 2016, i kryer nga zyrtarët më të lartë të qeverisë sonë. Qëllimi i tyre ishte të minonin vullnetin e popullit amerikan dhe të ndërmerrnin një grusht institucional të heshtur ndaj presidentit të zgjedhur,” deklaroi Gabbard.
Në mesin e zyrtarëve që Gabbard përmend si të përfshirë janë: John Brennan, ish-drejtor i CIA-s; James Clapper, ish-drejtor i inteligjencës kombëtare; John Kerry, ish-sekretar shteti; Susan Rice, ish-këshilltare për sigurinë kombëtare; Andrew McCabe, ish-nënkryetar i FBI-së; dhe vetë Barack Obama.
Ajo thekson se dokumentet që ka dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë përfshijnë memorandume të deklasifikuara nga administrata Obama dhe një raport të pjesërisht të redaktuar mbi kërcënimet kibernetike në zgjedhjet e vitit 2016. Sipas Gabbard, këto dokumente tregojnë se administrata e atëhershme ka “shtypur” vlerësimet e para zgjedhjeve, të cilat sugjeronin se Rusia nuk kishte as mundësinë dhe as synimin për të ndikuar në rezultatin elektoral.
Pretendimet e saj i rikthejnë vëmendjen çështjes së ndërhyrjes së mundshme të Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së – një temë që ka shkaktuar përplasje të ashpra politike gjatë viteve të fundit. Raporti i prokurorit të posaçëm Robert Mueller në vitin 2019 konfirmoi se Rusia kishte ndërhyrë në mënyrë “të gjerë dhe sistematike” në procesin zgjedhor, por nuk gjeti prova që të vërtetonin se fushata e Trump kishte bashkëpunuar me rusët.
Emërimi i Gabbard si drejtoreshë e inteligjencës ka qenë ndër më të kontestuarit në SHBA, për shkak të qëndrimeve të saj të mëparshme pro dialogut me Rusinë dhe deklaratave të saj që përkojnë shpesh me narrativat e Kremlinit, sidomos mbi luftën në Ukrainë. Ajo është një ish-deputete demokrate, por ka shpesh qëndrime të afërta me bazën e Partisë Republikane dhe me vetë ish-presidentin Trump.
Ndërkohë, kjo çështje zhvillohet në një moment kur presidenti aktual, Donald Trump, ndodhet në qendër të një tjetër skandali të lidhur me dosjet e fshehta rreth rastit të financierit të ndjerë Jeffrey Epstein. Trump ka mohuar ekzistencën e këtyre dosjeve ose ka pohuar se janë “produkt i fabrikimeve nga administrata Obama”.
Nuk ka ende një reagim zyrtar nga Barack Obama ose nga zyrtarët e tjerë të përmendur në deklaratën e Gabbard.