Tre të rinj nga Kamza janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia e Sarandës, pas një operacioni të ndodhur mbrëmjen e djeshme në një nga rrugët kryesore të qytetit bregdetar. Dy u ndaluan në moment, kurse i treti u hodh në det bashkë me një çantë të dyshimtë.
Brenda çantës, ata kishin pasur një armë zjarri, të cilën efektivët e kanë gjetur në det.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Sarandë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Diving” në lagjen nr. 1, kur u ndalua për kontroll automjeti luksoz tip “Porsche”, me të cilin udhëtonin 3 shtetas.
Gjatë veprimeve, njëri prej tyre, shtetasi Endri Doku, tentoi të largohej duke u hedhur në det, së bashku me çantën ku ndodhej arma e zjarrit, me qëllim humbjen e provave. Por falë reagimit të shpejtë të punonjësve të Policisë, me mbështetjen e Policisë Kufitare që ndodhej në patrullim në afërsi me mjetin e tyre lundrues, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.
Gjithashtu, nga punonjësit e Policisë Sarandë u bë e mundur, brenda një kohe shumë të shkurtër, gjetja e çantës me armën që ky shtetas tentoi të fshihte duke e hedhur në det. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit:
- Endri Doku, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”;
- Imer Gega, 21 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
- B. Cukali, 27 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Mos kallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, i cili rezultoi edhe person i shpallur në kërkim për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”.
Arma e zjarrit (pistoletë), municioni luftarak dhe automjeti tip “Porsche” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.



