Agjencia e spiunazhit e Tajvanit paralajmëroi shtetasit kundër aplikacioneve kineze mobile, përfshirë RedNote, TikTok; duke përmendur shkelje të mundshme të sigurisë pas inspektimit të aplikacioneve të lartpërmendura. Byroja e Sigurisë Kombëtare (NSB) tha në një deklaratë se gjeti shkelje serioze të sigurisë së komunikimit të përdoruesve në të gjithë treguesit e ndryshëm, pasi inspektoi pesë platforma kineze të mediave sociale, të cilat përfshijnë gjithashtu Weibo, WeChat dhe Baidu Cloud. NSB tha se hetoi 15 tregues në pesë kategori: mbledhja e të dhënave personale, transmetimi dhe ndarja e të dhënave, tejkalimi i lejes së përdorimit, qasja në të dhënat biometrike dhe nxjerrja e informacionit të sistemit. Të pesë aplikacionet e inspektuara treguan shkelje të disa prej treguesve. RedNote nuk arriti të përmbushte të 15 treguesit, ndërsa Weibo dhe TikTok shkelën 13 prej tyre. WeChat shkeli 10 tregues dhe Baidu Cloud shkeli nëntë prej tyre. “Këto gjetje sugjerojnë që aplikacionet e prodhuara në Kinë paraqesin rreziqe kibernetike shumë përtej pritjeve të arsyeshme për kërkesat e mbledhjes së të dhënave të marra nga aplikacionet e zakonshme”, tha agjencia e sigurisë. Ajo këshilloi publikun të “mbetet vigjilent në lidhje me sigurinë e pajisjeve mobile dhe të shmangë shkarkimin e aplikacioneve të prodhuara në Kinë që paraqesin rreziqe kibernetike, për të mbrojtur privatësinë e të dhënave personale dhe sekretet e biznesit të korporatave.” Tajvani ndaloi TikTok, Douyin dhe RedNote në pajisjet qeveritare në vitin 2019 për shkak të shqetësimeve për sigurinë, por përdorimi privat mbetet i lejuar.”



