Kreu i Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion, Altin Dumani, foli në detaje sa i takon performancës së Prokurorisë së Posaçme në Tryezën e Diskutimit mbi “Vlerësimin e Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme”, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Dumani theksoi se çdo akt ligjor është produkt konsultimi me prokurorët e posaçëm, duke hedhur poshtë çdo pretendim tjetër mbi rolin e tyre.
Dumani vuri në dukje se çdo veprim i prokurorëve kontrollohet nga gjykata, ajo e Shkallës së parë, e Apelit, apo e Lartë.
“Jemi dëshmitarë që edhe në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar shumë çështje. Raportet para KLP-së dhe Kuvendit janë brenda parashikimeve ligjore, patjetër që ka nevojë për përmirësim. Jemi të hapur dhe mirëpresim rekomandime”, deklaroi kreu i SPAK.
Sa i takon llogaridhënies, përmendi raportin me ILD-në (Inspektoriati i Lartë i Drejtësinë) apo KLP-në (Këshilli i Lartë i Prokurorisë).
“ILD ka ushtruar kontrolle në SPAK dhe ka dalë edhe me raporte, dhe ne në bazë të rekomandimeve kemi përmirësuar metodën e punës. Në dijeninë time, janë trajtuar nga ILD 61 raste me vendime përfundimtare, çka tregon se prokurorët e posaçëm japin llogari edhe te ILD-ja. Me KLP-në kemi marrëdhënie shumë të mirë, ka qenë mbështetje për SPAK, kemi komunikime për aq sa ka kompetencë“, u shpreh ai.
Rekomandimet dhe përpjekjet për të cënuar pavarësinë e SPAK
Duke theksuar se rekomandimet duhet të jenë orientuese dhe mbështetëse, pa u bërë mjet për ndikime të njëanshme që minojnë autonominë e institucionit, ai shtoi se respektimi i ndarjes së pushteteve dhe roli i institucioneve të pavarura janë kyç për ruajtjen e balancës kushtetuese, ndërsa theksoi se është e drejtë që ekzekutivi të kufizojë ndikimin e tij në fushat administrative të SPAK.
“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të zhbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë”, shtoi Dumani.
Gjithashtu, Dumani vuri në dukje boshllëqet ligjore që lidhen me përfundimin e mandatit të Prokurorëve të Posaçëm, një çështje që SPAK e ka adresuar me seriozitet në raportimet e tij periodike përpara Kuvendit dhe KLP-së. Ai kërkoi që të gjendet një zgjidhje ligjore për këtë problematikë, duke theksuar se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje konkrete dhe të qarta