Po mbahet tryeza e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.
I pranishëm në takim është edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, i cili e vlerësoi SPAK si një institucion fundamental.
Ambasadori tha se reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së, ndërsa shtoi se ka edhe shumë punë për të bërë në zbatimin e plotë të saj.
“Vendimet gjyqësore kanë vlerësim dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pavarësia pa llogaridhënie rrit rrezikun për abuzime me pushtetin. Në raportet tona të zgjerimit siç kemi thënë dhe në atë të sundimit të ligjit, kemi thënë se arkitektura e reformës në drejtësi ofron drejtpeshim të duhur dhe të drejtë ndërmjet llogaridhënes dhe pavarësisë.
Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë. Ajo që shikojmë sot është pjesë e procesit të anëtarësimit, monitorimi nga shoqëria civile. Të gjitha këto gjëra themelore në çdo sistem”, u shpreh Gonzato.
Teksa tha se dëshiron ta shikojë ‘gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh’, Gonzato theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre hapave pozitivë të arritura. U ndal edhe te KLP, teksa e vlerësoi për ecurinë që ka bërë në vlerësimin e prokurorëve.
“Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë. Së pari theksoj arritjet e KLP që kam pasur kënaqësi ta takoj në formatin e vet të plotë kohët e fundit. Vlerësimi ynë tregon se KLP ka pasur ecuri domethënëse në krahasim me vitet e mëparshme për vlerësimin e prokurorëve. Edhe vlerësimet e prokurorëve bazohen te performanca e tyre. Këto tregues duhet të jenë objekt i shqyrtimeve të strukturuara dhe metodologjike.
Psh kritere si efikasiteti i çështjeve, aftësitë menaxheriale dhe etika në punë mund të kërkojnë përshtatje dhe kemi besim se KLP do t’i bëjë këto rishikime. Por pjesa e llogaridhënies nuk mbetet në mënyrë ekskluzive mbi shpatullat e KLP, prandaj kemi inkurajuar dhe ILD dhe Shkollën e Magjistraturës. Kemi mirëpritur se takime të tilla janë bërë më të shpeshta duke shënuar hap të rëndësishëm përpara sa i takon llogaridhënies.”, shtoi Gonzato.
Më tutje, vlerësoi gjithashtu edhe procesin transparent të zgjedhjes së kreut të SPAK, duke shtuar se një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe me emërime të tjera. Gonzato risolli në vëmendje gjithashtu disa rekomandime të bëra edhe në raportet e mëparshme të BE-së që sipas të cilit duhen adresuar shpejt