nga Edmond Arizaj
Njerëzia kënaqen më së shumti me diktaturën, dhunën, raprezaljet. Rama ua plotëson qejfin me gjithë qejf. Sulltan, mbret, kalif, nuk ka nevojë për ndryshim kushtetute thjesht për të bërë formale diçka që e ka tashmë.
Drejtësia fillon nga partia. Ramës nuk i pëlqen të bëjë ndryshe nga paraardhësit që nga 1448.
Pavarësia e të zgjedhurve nga populli është iluzion. Rama është “pronari” i çdo bashkie në vend.
Sipas metodës së komandantit të madh, shokut E.H, uji vjen i pastër nga lart, por e turbullojnë ata të vegjlit që bëjnë pisllëqe plot më poshtë. Rama e interpreton në mënyrë brilante këtë rol.
Nuk ka peshk që qelbet nga bishti. Rama nuk mund të ndryshojë natyrën. Nëse nuk lejon konkurrencën, meritokracinë, dinjitetin, inteligjencën, aftësinë, të ecin duke gjetur rrugën e tyre, pasojat do vijojnë të jenë të rënda në gjithë vendin, sepse uji (shembulli) vjen i qelbur nga lart. Nëse do ishte i kthjellët, askush më poshtë nuk do guxonte të bënte Zotin në mallin publik.
Gjendet dikush të cilit i hidhet në kurriz gjithë “e përgëra” e bërë ndër vite nga pushtetet edhe ai qëndror (psh me idetë e Ramës si projektues e arkitekt) dhe bëhet “shembull”. Rama ia ngarkoi këtë barrë Ermal Dredhës, a thua ky ishte Herkuli të devijonte lumenjtë e të lante ndyrësitë e Vlorës e abuzimet bërë ndër vite brenda natës. Ermalit nuk i duhej asnjë justifikim, përveç t’i thoshte në sy zotit kryeministër atë që ai u tha shqiptarëve pas 8 vitesh në pushtet kur nuk bëri asgjë nga ato që premtoi: Unë nuk jam magjistar.
Drejtorët e Vlorës nuk kanë pse ndihen fajtorë për asgjë, përveçse për heshtjen për punën e tyre. Nëse drejtësia s’ka punë me ta, thjesht janë figurantët e radhës për aktorin e madh që të luajë babën e kombit që po i plas shpirti e po bëhet copa për të bërë Shqipërinë. Ai bën personalisht politikën e jashtme, të brendshme, mbajtjen e rendit, reformën në ushtri, lirimin e hapësirave nga trarët, format e kullave, studimin ku do ndërtohen aeroportet dhe portet, përzgjedh helmin për vrasjen e mushkonjave, gjykon mbylljen e AKU, jep ide për sjelljen e drejtësisë, zgjedh nga turma deputetët pastaj i fut në shkolla për të mësuar (në botë është e kundërta), ai di nga inxhinieria, mjekësia, filozofia, karateja, shahu, futbolli, matematika, feja, i vetmi që ka 10 stërgjyshe…pra edhe drejtorët e dorëhequr me shkarkim duhet të ndihen jo të mërzitur por krenarë që Shqipërisë i ka rënë fati të drejtohet nga një i mbinatyrshëm.