Prokuroria: Bankers shmangu tatimet për 20 vite, 14 urdhër arreste

spot_img
Advertisements

Prokuroria e Fierit njofton se ka lëshuar 14 urdhër arresti në kompaninë Bankers Petrolium pas dyshimeve se shmangu detyrimet tatimore duke deklaruar humbje për 20 vite. U lëshuan 14 masa sigurimi, 9 ekzekutohen dhe 5 të shpallur në kërkim.

Njoftimi i plotë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Latest articles

Related articles