Drejtuesi politik i qarkut Tiranë për Partinë Demokratike, Belind Këlliçi, thotë se pas certifikimit të farsës zgjedhore do të kalohet në analizën e brendshme të partisë.
Duke folur për “MCN Live” ai deklaroi se u certifikua farsa elektorale pavarësisht provave për manipulim.
Këlliçi shton se nuk ka përçarje në radhët e Partisë Demokratike, por ka diskutime të brendshme dhe se në muajin shtator do të mblidhen strukturat e partisë për të vendosur për aksionin e opozitës.
Në përfundim të rinumërimit kemi parë që nuk preken mandatet, por ka qenë proces gjysmak, pasi nuk është numëruar as vota e diasporës.
Ekspertët e Partisë Demokratike po shqyrtojnë mundësinë për hapjen e materialeve zgjedhore në kutitë e votimit, për të kuptuar fletët që janë manipuluar. Uroj që zgjedhje të tilla të mos bëhen kurrë në Shqipëri, për shkak të Kodit të tmerrshëm Elektoral.
Ky kod ka qenë një kod i tmerrshëm që ka prodhuar pabarazi mes kandidatëve. Siç është rasti i Ilir Alimehmetit që mori 18 mijë vota dhe nuk është në parlament. Alimehmeti nuk ka qenë vetëm, ka pasur mbështetjen e gjithë strukturave të Partisë Demokratike.
Tipologjia e fushatës së kandidatëve ka qenë e ndarë, në aspektin partiak, zoti Alimehmeti. Unë jam për sistemin mazhoritar, ku kandidatët të përballen me njeri tjetrin. Asnjëherë nuk do të kemi një listë perfekte, gjithmonë listat do të jenë të debatueshme.
Kur të përfundojë certifikimi i farsës elektorale dhe të ketë një raport nga OSBE-ODHIR ne kalojmë në një fazë tjetër, në një analizë të brendshme dhe marrje përgjegjësisë.
Përgjegjësia është nga deputeti i parë deri te deputeti i fundit, nga funksionari i parë, deri te funksionari i fundit. Në këtë moment që ne flasim kemi të bëjmë me një farsë elektorale dhe gjithë strukturat e Partisë Demokratike e kanë përjetuar.
Nuk flitet në PD për largime, por për afrime dhe hapje dyersh. Për momentin nuk ka absolutisht një moment të tillë politik në PD, siç është largimi i zotit Berisha.
Largimi i Berishës nuk diskutohet në PD, por farsa elektorale. Nuk ka një përçarje në radhët e Partisë Demokratike, ka diskutime të brendshme që shtiren si përçarje. Në shtator do të mblidhen strukturat për të diskutuar se çfarë aksioni do të ndjek në vijim opozita.