Në kohën që duhet për të lexuar artikullin, Cristiano Ronaldo do të ketë fituar rreth 1.240 euro. Rinovimi deri në 2027 me Al Nassr i garanton CR7 178 milionë paund, që do të thotë pak më shumë se 200 milionë euro (pa llogaritur 30 milionë bonus për firmën).
Rekordi i pathyeshëm
Portugezi u ngut të deklaronte se “vetëm kush nuk ka luajtur kurrë këtu ose kush nuk kupton asgjë nga futbolli thotë se kampionati saudit nuk është mes pesë më të mirëve në botë. Unë besoj fort në projekt, ndaj kam qëndruar këtu”. Për këtë. E ndoshta edhe për arsye të tjera, përtej pagesës faraonike të CR7 që vendos një rekord praktikisht të pathyeshëm, të paktën në teori: e dimë që ndonjëherë ndodhin gjëra të paparashikueshme dhe ndoshta një ditë do të ketë dikush që do të fitojë edhe më shumë.
CR7 përfiton pak më pak se 7 euro në sekondë, 413 e ca në minutë, gati 25.000 në orë, 600.000 në ditë, 4 milionë në javë, i afrohet 17 milionëve në muaj e kështu me radhë. Deri këtu flitet për para të thata, për pagesë, për diçka që, sado e ekzagjeruar dhe jashtë çdo logjike, përfaqëson rrogën e një profesionisti. Por janë sidomos përfitimet që e bëjnë të veçantë këtë marrëveshje.
Përfitimet
Në shtëpi (o Zot, ta quash kështu duket pak) Ronaldo do të ketë në punë një grup njerëzish sa për të formuar një skuadër të viteve tetëdhjetë: gjashtëmbëdhjetë vetë, njëmbëdhjetë titullarë dhe pesë zëvendësues. Ja formacioni: tre shoferë, katër shërbëtore, dy kuzhinierë, tre kopshtarë dhe katër persona sigurie. Dhe mos mendoni se portugezi duhet të shqetësohet për t’u paguar atyre rrogat dhe kontributet: gjithçka është në kurriz të klubit. Bonuset sportive janë të konsiderueshme: 93.000 euro për çdo gol, 46.000 për çdo asist (me 20% rritje në sezonin e dytë, nëse realisht Ronaldo do ta respektojë angazhimin deri në 2027), 10 milionë në rast fitoreje të kampionatit, do të jenë 5 nëse arrin të fitojë Këpucën e Artë dhe 8 nëse Al Nassr fiton Ligën e Kampionëve të Azisë.