SHBA e ka me Ramën dhe Berishën | nga Ermal Peçi

spot_img
Advertisements

Nga viti 2021 e në vazhdim, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj korrupsionit në Ballkanin Perëndimor është bërë gjithnjë e më i qartë dhe i prerë. Urdhri Ekzekutiv i Presidentit Joe Biden për “Bllokimin e Pronës së Personave të Përcaktuar që Ndihmojnë ose Angazhohen në Aktivitet të Dëmshëm për Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor” ka qenë një sinjal i fortë: SHBA nuk do të tolerojë më elitën e korruptuar politike që pengon demokracinë në rajon.

Ky urdhër ekzekutiv, që përfshin sanksione, ndalime hyrjeje dhe ngrirje pasurish për individë të përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, është zbatuar dhe po vazhdon të zbatohet edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane. Nga presidenca e Bidenit tek ajo e Donald Trump – e cila e ka mbështetur dhe forcuar këtë vijë të ashpër – mesazhi është i njëjtë: korrupsioni është kërcënim për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e rajonit.

Kjo politikë nuk është thjesht retorikë diplomatike. Ajo ka pasur pasoja konkrete. Deklarimi “non grata” i ish-kryeministrit Sali Berisha nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka qenë një prej goditjeve më të forta ndaj një figure që, për dekada, ka dominuar skenën politike shqiptare. Megjithëse Berisha ka refuzuar akuzat dhe ka ngritur një fushatë politike për të sfiduar këtë vendim, fakti është se ky sanksion nuk është tërhequr dhe vazhdon të qëndrojë në fuqi – duke treguar se pavarësisht kush është në Shtëpinë e Bardhë, SHBA qëndron në të njëjtën linjë.

Por këtu duhet bërë një theksim i rëndësishëm: SHBA nuk e ka me një individ apo një parti. Ajo e ka me korrupsionin, kudo që ndodhet. Në Shqipëri, korrupsioni më i përhapur dhe më sistematik aktualisht është ai i qeverisë Rama. Nga koncesionet e dyshimta dhe tenderat pa garë, tek kapja e drejtësisë dhe kontrolli mbi mediat, qeverisja e Edi Ramës është bërë sinonim i kapjes së shtetit. Raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të DASH-it dhe organizatave të pavarura si Freedom House dhe Transparency International, e rendisin Shqipërinë si një shtet me demokraci hibride dhe korrupsion të përhapur.

Madje, nuk mungojnë as denoncimet nga brenda vendit: nga skandalet, si inceneratorët, dyshimet për lidhje me krimin e organizuar e deri tek çështja McGonigal që ka trazuar skenën ndërkombëtare,të gjitha këto tregojnë një qeverisje që ka humbur busullën demokratike dhe etikën e shërbimit publik.

SHBA është e vetëdijshme për këtë dhe sinjalet janë të qarta dhe presioni diplomatik është në rritje. Edhe vetë urdhri ekzekutiv përfshin gjuhë të mjaftueshme që mbulon jo vetëm zyrtarët e kaluar, por edhe ata aktualë që pengojnë reformën, favorizojnë klientelizmin dhe cënojnë sundimin e ligjit.

Prandaj, është e gabuar të besohet se SHBA është në një betejë selektive, vetëm me Berishën apo opozitën. Kjo është një luftë e sinqertë dhe afatgjatë kundër një kulture politike të kalbur, ku korrupsioni është bërë sistem. Qoftë në të djathtë apo të majtë, kushdo që është pjesë e kësaj strukture do të përballet me pasojat.

Në këtë kuptim, titulli i këtij opinioni është më shumë se një provokim:
Po, SHBA e ka me Ramën, SHBA e ka me Berishën, sepse SHBA e ka me korrupsionin.

Kjo është një betejë për të ardhmen e Shqipërisë, për një shtet me institucione funksionale, për një shoqëri ku qytetari ka fuqi dhe ku drejtësia nuk është e varur nga pushteti. Kjo betejë nuk është më çështje e brendshme por tashmë është çështje gjeopolitike.

Koha po ecën dhe për politikanët e vjetër, të djathtë apo të majtë, që kanë ngritur pasuri mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë, koha po mbaron.

Latest articles

Related articles