Rrjeti Safe Journalists shpreh shqetësim për incidentin e fundit në Bashkinë e Kurbinit, ku gazetari Ersid Karaj dhe ekipi i emisionit “Xhadat” i televizionit MCN u përballën me dhunë fizike dhe verbale, si dhe u penguan gjatë ushtrimit të detyrës së tyre gazetareske.
Më 17 qershor, gazetari Ersid Karaj dhe ekipi i emisionit “Xhadat” në MCN TV u përballën me dhunë fizike dhe verbale gjatë ushtrimit të detyrës së tyre gazetare në ambientet e Bashkisë së Kurbinit.
Raportimet tregojnë se ekipi u kërcënua dhe u largua me forcë nga godina e bashkisë, ndërsa policia bashkiake nuk ndërhyri, ndërsa në vendngjarje ndodheshin persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar.
Safe Journalists shprehet se veprime të tilla përbëjnë një shkelje serioze të lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për t’u informuar, veçanërisht kur ndodhin brenda një institucioni publik.
U bëjmë thirrje Prokurorisë së Rrethit Kurbin dhe Policisë së Shtetit që të nisin një hetim të shpejtë dhe të plotë mbi këtë incident dhe të garantojnë përgjegjësinë e të gjithë personave të përfshirë. Institucionet publike duhet të jenë transparente dhe të hapura ndaj kontrollit mediatik, të lira nga dhuna dhe frikësimi.



