Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, u hodh shorti për turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Katër ekipe nga Shqipëria dhe Kosova mësuan kundërshtarët e tyre për sfidat europiane që i presin në muajin korrik. Partizani, Vllaznia, Malisheva dhe Deçiq përballen me skuadra nga Estonia, Letonia, Ishujt Faroe dhe Maqedonia e Veriut.
Partizani sfidon Nomme Kalju – eliminuan Shkëndijën në 2019
Klubi i kuq nga Tirana do të masë forcat me Nomme Kalju, një ekip nga Estonia që ka rikthyer praninë e tij në Europë pas pesë vitesh mungesë. Me dy tituj kampionë, dy Kupa dhe një Superkupë të fituara në vendin baltik, Kalju ka përvojë në kompeticione ndërkombëtare dhe madje është kujtuar për eliminimin e Shkëndijës së Tetovës në turin e parë të Champions League në vitin 2019.
Takimi i parë do të luhet në tokën estoneze më 10 korrik, ndërsa sfida e kthimit në Shqipëri një javë më pas, më 17 korrik. Edhe pse Partizani shihet si favorit në letër, fakti që kampionati estonez është aktualisht në zhvillim i jep njëfarë avantazhi fizik kundërshtarit.
Vllaznia ndaj një debutuesi: Daugavpils i “ndihmuar” nga skualifikimet
Shkodranët do të kenë përballë një emër të panjohur në skenën europiane: BFC Daugavpils nga Letonia. Ky ekip po merr pjesë për herë të parë në një garë ndërkombëtare dhe madje ky debutim erdhi jo falë rezultateve të arritura në fushë, por pas përjashtimit të Valmierës për shkelje financiare.
Daugavpils e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e pestë në elitën letoneze, larg zonës së zakonshme europiane. Klubi zhvillon ndeshjet në një stadium shumë modest me kapacitet jo më shumë se 3 mijë vende. Vllaznia do ta luajë sfidën e parë në shtëpi më 10 korrik, ndërsa udhëtimi drejt Letonisë vjen më 17 korrik.
Deçiq përballet me Sileksin, Malisheva ndeshet me Vikingur
Përfaqësuesit nga Kosova nuk e patën fatin me vete. Malisheva do të përballet me Vikingur nga Ishujt Faroe, një skuadër me përvojë të konsiderueshme në garat europiane, ndërsa Deçiq do të masë forcat me Sileksin nga Maqedonia e Veriut, një emër me traditë në kampionatin e vet dhe pjesëmarrje të mëhershme në kualifikime europiane.
Dinamo dhe Ballkani presin, e nisin garën nga turi i dytë
Ndryshe nga katër ekipet e mësipërme, Dinamo e Ilir Dajës ka siguruar një kualifikim të drejtpërdrejtë në turin e dytë të Ligës së Konferencës, falë përjashtimit të skuadrës irlandeze Drogheda për arsye të licencimit. Ballkani gjithashtu do të mësojë nesër kundërshtarin e tij, pasi nis aventurën europiane nga faza e dytë kualifikuese.
Në përgjithësi, shorti i sotëm nxori sfida të përballueshme për Vllazninë dhe Partizanin, ndërsa Deçiq dhe Malisheva do të përballen me ekipe më të forta në letër. Fillimi i aventurës europiane për skuadrat shqiptare dhe kosovare do të nisë më 10 korrik me ndeshjet e para, ndërsa kthimet do të zhvillohen më 17 korrik