Nga Kosta Nake
Ka duete, duele dhe dikotomi në këtë roman të Ilir Pajës: kur hedh vështrimin mbi qytet ai është prozator, kur kthehet nga deti bëhet poet; ka një qasje republikane ndaj pronës nga zoti Mangalla dhe një qasje revolucionare nga ata që duan të mbajnë me çdo kusht një pronë që as e kanë trashëgim, as e kanë të blerë; ka një qytet antik që meriton të shpallet trashëgimi botërore dhe banorë që nxitojnë të mbivendosin modernietin mbi të; ka dy linja subjekti me rrjedha të ndryshme – ringritja e shtresës së persekutuar e grabitur nga sistemi i diktaturës së proletariatit dhe zhvillimi me probleme i sistemit arsimor; ka dy detaje që përbëjnë refrenin e veprës dhe mbartin mesazhet e saj: kolla e zotit Mangalla dhe mpiksja e një dallge deti; ka një gjuhëtar që luan me fjalët ekzistuese të gjuhës, bëhet edhe ndihmëtar në pasurimin e saj, por ka dhe një filozof që të fton të vrasësh mendjen ose të ballafaqohesh me përvojat e tua. Të gjitha këto e kthejnë romanin në një vepër komplekse e cila nuk mund të përcillet e plotë me një ndalesë të vetme.
Kolla dhe dallga
Romani, si të qarët e një fëmije që porsa lind, hapet me kollën e zotit Mangalla, një kollë që e ka marrë gjatë viteve të qëndrimit në burg, por që kthehet në lajmëtare të ndryshimit të sistemit, mbi të gjitha është një klithmë dhembjeje. (f.86) Gjuhësisht kolla shfaqet në pesë trajta gramatikore: si emër “kollë” në 35 raste: Baristi sa po vinte filxhanët në tabaka, kur ia behu një kollë e dytë. (f.5) Si emër “kollitje” në 25 raste: Sirena e tij brenda barit u mbyt nga një kollitje si shkreptimë. (f.5) Si emër i paranyjëzuar me dy trajta “e kollura” 5 raste dhe “e kollitura” 20 raste: E kollura e tretë bëri të dridhen xhamat. (f.5) Pas çdo të kolliture krijonte një heshtje. (f.9) Si folje “kollitem” në 24 raste: Kollitej dhe më parë, por e dëgjonin vetëm një pjesë të kohës. (f.8) Në një rast del si mbiemër: Çfarë do të mund të ndalonte në jetën e tyre ky zotëri i kollitur? (f.45) Të gjitha së bashku janë më shumë se 100 raste nga fillimi në fund të veprës çka e kthen në një detaj simbolik që bëhet kujdestar i organizimit të veprës, ashtu si zoti Mangalla që del e troket portë më portë atje ku ka pronat e veta të cilat duhet t’i kthehen dhe t’u japë fytyrën e dikurshme në panoramën me vlera të qytetit.
Detaji dytë, i lidhur me kollën është një dallgë e mbetur pa lëvizur në det si një kollë që s’del dot. Kolla është gjurma e persekutimit të zotit Mangalla, dallga është dëshmia e munguar e ekzekutimit të babait të tij. Ashtu si një kollë na mundon e s’e nxjerrim dot, ashtu dhe një dallgë befas mpikset në det e nuk del dot në breg – është varri i munguar i atij që e mbytën, pastaj e vranë, pastaj u kujdesën që të mos lënë asnjë gjurmë prej tij.
“Dallga e mpiksur kishte marrë formën e një guri ishullor. Iu duk si i njëjti gur. Ai që ia kishin lidhur babait të tij atë natë. Ajo dallgë të mbetej aty. E gjakosur dhe ngurtësuar në gur… (f.134) Aty ishte. E palëvizur. Tani, larg vëmendjes së njerëzve, i ngjante atij njeriu vetmitar i cili po kërkonte mëshirë pse kishte guxuar për diçka… (f.160) Kur kujtoi se babai i tij ishte akoma pa varr, a datë vdekjeje dhe pa vend, ajo dallgë iu duk trupi i tij, i ribërë me pluhur dheu… (f.179) Përmbyllja është po aq simbolike: Një pulëbardhë e ulur në parvazin e dritares çukiste diçka si lëkurë mishi dhe këmbët kishin kundërmim gjaku.” (f.173)
Qyteti dhe deti
Qyteti dhe deti kthehen në binom të jetës për banorët. Themeli më i qenësishëm i një vendbanimi është prona. Qëndrimi ndaj saj përbën një nga shtysat kryesore që e kanë bërë romancierin të ulet dhe t’u përcjellë lexuesve këtë mesazh. Pas përpjekjeve të zotit Mangalla për të rimarrë pronat e konfiskuara, me kahe të kundërt, lëviz një grup prej gjashtë vetësh që përpiqen t’i futin shkopinj në rrota, madje janë të gatshëm edhe për asgjesimin fizik të tij. Pak më tej është një grup më i madh që udhëhiqet nga lakmia për t’u bërë pronarë vetëm me një të lëvizur të lapsit. Është ajo qasje dhe kulturë që u fshi forcërisht nga teoria e lulëzimit të pronës së përbashkët socialiste dhe duhen përpjekjet e disa brezave për të edukuar atë që përbën elementin kryesor të një shoqërie e cila ka në bazë ekonominë dhe jo politikën. “Prona ndoshta të bën të heqësh dorë nga shumë liri, por ajo është realisht liria më e madhe dhe më pa dilema jete. Vetëm mbi të mund të ngresh qetësisht çdo qëllim jetik.” (f.172) Tjetërsimi që i bëhet pronës nga jopronarët është shenjë frike dhe jo shenjë dashurie ndaj saj.
Ndër banorët e qytetit vetëm zoti Mangalla identifikohet me emër, të tjerët paraqiten sipas profesionit apo ndonjë tipari të dukshëm fizik, rrjedhimisht portreti i zotit Mangalla është si ujët e pakët mes dy-tre portretizimeve të tjera: “I dobët, i gjatë, pak i kërrusur dhe i patundshëm përballë çdo realiteti jetësor… (f.74) …me trup të gjatë, sy të mëdhenj dhe një hundë me pak samar, e trashë, ku flegrat e zgjeruara, e bënin pamjen e tij si të ishte makinë gjigande. Fliste qartë, jo si moshatarë të tij që i kishin kaluar të shtatëdhjetë e pestat… (f.121) I pari në rreshtin për pritjen e Papës, i pajisur me shtetësi të huaj në katër vende, i kandiduar për deputet, me prona jashtë vendit, në takime pritjeje në Presidencë.” (f.175)
Ortaku i qytetit është deti “muza, ati, trashëgimia më e pushtetshme e tij.” (f.192) Deti i madhërishëm ndan diçka nga vetja kur përplaset me kollën si me një shkreptimë tjetër. Shkreptimat na bëjnë të ngremë sytë nga qielli i cili nuk mëton t’u hyjë në pjesë dy të parëve. Ashtu si shija e verës në fuçi provohet vetëm me një gotë, ashtu mjaftojnë vetëm disa copëza për të dalluar prozën poetike brenda një subjekti prozaik: “Bregu si ngaherë, përulur, vazhdonte t’i jepej detit. Dhe pse s’merrte kurrë frymëmarrje, deti mbërrinte me ringjalljet. Çdo dallgë a valë ishte një mundim që era e zgjonte nga heshtja për t’ia dhënë detit si rrugëtim. Dallgët si varka sjellin plot zhabllimë të gjitha largësitë. Ndoshta ndonjëra ka humbur udhë, një tjetër po vdes thellësive. Era ngrihet si kalorës dhe e mbërthen detin me dallgët si kali patkonjtë. Kështu gjithçka vjen. Shplodhet. Kthehet. Rikthehet. Gulshon dhe pi të gjitha thirrjet e pulëbardhave. Atëherë bardhon. Shkulmet. Kreshtohet. Merr fuqi si hero dhe i drejtohet bregut. Shembet për breg, jo përdhe. Tërsëllin duke stërkalur veten.” (f.53)
Gjuhëtari dhe filozofi
Pështyma që vjen prej kollës, kur bie diku, mund të fshehë diçka. kjo i jep mundësi autorit që këtë detaj ta kthejë në një lojë grafike për të shprehur një qëndrim emocional negativ ndaj një emri të njohur: “I juaji…E…vrer.”(f.18)
Në një rast tjetër, për të theksuar diçka, thërret në ndihmë aliteracionin: Gri… grua… gurë… grup… gravura… gërvishtje… grusht … grushte… (f.39)
Vëzhgimi i një gjetheje të rënë shfrytëzohet për të rritur intesitetin e lëvizjes me enumeracion foljesh: “Një gjethe mbi breg sikur kërkonte për të ngrënë. Rrokullisej, ngrihej, shtyhej deri mbi det e kthehej pas. Ulej mbi guaska herë-herë dhe sërish rrotullohej ngado.” (f.54)
Ka një numër të konsiderueshëm fjalësh që tingëllojnë si fjalë të krijuara nga vetë autori, gjë që dëshmon jo vetëm për njohjen e strukturës së gjuhës por edhe për qasjen misionare ndaj saj: bardhon, bardhshëm, barkimi i tendës, bezdisshëm, shatërvani currilte, dramshëm, falshëm, gërhitshëm, hatërqejfas, kreshtohet, u mornicuan, heshtje e ngrehintë, padukshëm, prehshëm, ndriçim, pyetshëm, kreshtë e shkulmët, timonohej, trembshëm, trillueshëm, ulshëm, zbardhshëm, etj.
Ka një numër të konsiderueshëm autorësh, veprash dhe personazhesh të tyre që shërbejnë si identifikues profesional të autorit: Sanço Pança, Akili dhe Paridi, “Procesi” dhe Jozef K., “Porta e ligjit”, Kadare, “Budenbrokët”, Dombi dhe Koperfildi i Dikensit, Konica dhe Noli, “Mali magjik”, “Njerëz të varfër” i Dostojevskit, etj.
Ftesa më interesante e një autori është kthina e përgjithësimeve filozofike. Pa dyshim koncepti më i debatueshëm është perceptimi i lirisë. Autori sjell formulimet e mëposhtme: “Bëhu i ditur që të jesh i lirë.” (f.17) “Liria duket se është identiteti i vetëm ku secili prej nesh ngre unin e tij dhe lumturohet nga ajo lartësi e vetes, që bën gjithçka vetë dhe asgjë për të tjerët.” (f.106-107) “Njeriu i lirë arratiset nga liria kur nuk e përballon dot atë.” (f.139) “Të guxosh është e drejta e parë që siguron lirinë.” (f.203)
Durrës, 27-28 maj 2025