Fitim Zekthi
Zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri nuk përfaqësuan aspak një proces demokratik të vërtetë, dhe aq më pak mund të shërbenin si një instrument për të korrigjuar gabimet e mëparshme politike. Në fakt, ka shumë mundësi që zgjedhjet e 11 majit të jenë një rast ku sistemi politik dhe partitë aktuale të thellojnë më tej gabimet ekzistuese, duke mos ofruar hapësirë për ndryshim apo përmirësim.
Filozofi francez Pierre Manent ka shkruar së fundmi se është e mundur që një vend të depolitizohet plotësisht. Sipas tij, kjo situatë ndodh në momentin kur as shumica në pushtet dhe as pakica në opozitë nuk kanë më mundësi të ndryshojnë pozicionet e tyre politike. Kjo përkthehet në një realitet ku qeveria nuk mund të humbasë zgjedhjet dhe opozita nuk mund t’i fitojë ato. Një gjendje e tillë përbën një ngërç demokratik, ku ndryshimi bëhet i pamundur dhe zgjedhjet humbasin funksionin e tyre themelor si mekanizëm demokracie llogaridhënieje.
Gjithashtu zgjedhjet kthehen në një pengesë serioze edhe për çdo forcë tjetër politike apo çdo ndjeshmëri tjetër për të prishur këtë gjendje.
Në këtë prizëm, zgjedhjet e fundit në Shqipëri mund të perceptohen si një përforcim i këtij ngërçi, duke i dhënë sistemit politik një status quo që pengon zhvillimin demokratik dhe përparimin e vendit.
Krahasuar me sistemet e tjera qeverisëse politike si aristokracia, monarkia, tirania apo oligarkia demokracia ka vetinë e mrekullueshme të korrigjimit të gabimit ose të problemeve. Në zgjedhje njerëzit ndëshkojnë qeverisjen, ndëshkojnë partinë në pushhet dhe drejtuesit e saj duke I nxjerrë ata në opozitë siç mund të ndëshkojnë edhe opozitën duke e lënë në opozitë ose edhe duke e kërcënuar me humbjen e rolit të opozitës (duke ia dhënë atë rol ose duke krijuar mundësinë që atë rol ta marrë një parti tjetër e re ose ekzistuese). Shkurt demokracia për këtë arsye është prej sistemeve më politike më të efektshme dhe më të mira.
Çfarë ndodhi konkretisht në Shqipëri dhe a ishte, a është vendi ynë një vend I depolitizuar ? Çfarë ndikimi pati sistemi zgjedhor në këtë depolitizim apo sistemi zgjedhor ishte viktimë e këtij depolitizimi?
Parti Socialiste e kryeministrit Edi Rama ishte qartësisht partia që nuk mund t’i humbte kurrë zgjedhjet. Kjo jo për meritë të saj në asnjë kuptim. Qeverisja e kryeministrit Rama nuk u paraqit me asnjë bilanc arritjesh në ekonomi, në sundimin e ligjit, në efikasitetin e administratës etj. Gati në çdo sektor gjendja ishte dhe është e papranueshme dhe pakënaqësitë janë të mëdha. Arsyeja pse partia Socialiste nuk mund të humbte kurrë këto zgjedhje nuk kishte të bënte me të por me konfigurimin politik të vendit dhe sidomos me gjendjen e opozitës. Në çdo llogari paraelektorale që bëjnë të gjithë konsulentët apo strategjistët zgjedhorë në botë, sidomos në SHBA, matet raporti pëlqyeshmëri-mospëlqyeshmëri për kandidatin për kryeministër ose për liderin e koalicionit të qeverisë dhe atij të opozitës. Në qoftë se diferenca pëlqyeshmëri – mospëlqyeshmëri është negative dhe është më e madhe se sa e kundërshtarit është shumë e vështirë që kandidati që ka diferencën më të madhe të fitojë. Gjithë historia politike ka treguar se ky tregues është në një farë mënyre tregues vendimtar. Edhe në zgjedhjet e fundit në SHBA raporti pëlqyeshmëri – mospëlqyeshmëri për presidentin Trump ishte negativ në – 2 ndërsa ky raport për zëvendëspresidenten Harris ishte – 4.
Pra Trump kishte avantazh. Në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020 ky raport në rastin e Biden ishte +1ndërsa për presidentin Trump ishte -5. Në zgjedhiet në Gjermani kancelari Mertz kishte një raport prej -7 krahasuar me kandiatin e PSD-së Scholtz që e kishte -25 apo kandidaten Alice Wiedel të AFD-së që e kishte -75.
Në zgjedhjet e majit të këtij kryeministri Rama i kishte një raport pëlqyeshmëri prej 48/52, pra -4. Ish kryeministri Berisha e kishte këtë raport në vlerat 32/68 pra -36. Kjo shifër prej -36 është e llahtarshme. Me këtë shifër nuk ekziston asnjë mundësi për të fituar.
Kjo shifër ishte produkt i gjendjes së PD-së, i sjelljes së vetë kryetarit të saj Berisha dhe i historisë së PD-së dhe kryetarit të saj Berisha. PD u fut në një luftë vetvrasëse të tmerrshme që prej 9 shtatorit të vitit 2021 kur kryetari Basha vendosi të largojë nga grupi parlamentar ish kryetarin Berisha. Lëvzija e kryetarit Berisha ishte kundër kohës, kundër historisë, kundër logjikës. Ishte kundër kohës sepse Berisha kishte qenë kryetar dhe kishte dhënë dorëheqjen pas një humbjeje të thellë duke qenë kryministër në detyrë. Tani rikthimi në krye të PD-së pas tetë vitesh apo dhjetë vitesh ishte sigurisht kundër kohës. Ishte kundër logjikës sepse nuk mund të rikthehehesh dhe të kërkosh rithemelimin, çlirimin nga pengmarrja dhe pastrimin e PD-së në momentin kur PD vendos të të largojë ty personalisht. Ishte kundër logjikës sepse nuk mund të jesh kandidat për kryeministër kur je nongrata (qoftë edhe me të padrejtë, apo pavarësisht se me të padrejtë) nga SHBA dhe Britania e Madhe dy vendet më të fuqishme të NATO-s. Ishte kundër historisë sepse përvoja, historia politike e botës nuk I njeh gjëra të tilla. Gjërat kanë trajektoren e tyre e cila nuk mund të ndryshojë kurrë nga këmbëngulja e një individi apo e një organizate. Indidvidi ose organizata mund të ngadalësojnë apo përshpejtojnë ecjen në trajektore por jo ndryshojnë atë. Kësisoj një parti e tillë, një kandidat i tillë për kryeministër nuk është kurrë në garë për të fituar. Bash për këtë arsye Rama nuk mund të humbte. Rama kishte gjithçka kundër por kishte me vete si avantazh pamundësinë e Berishës për të fituar.
Në këto kushte Rama nuk është më në poltikë, ai është i depolitizuar. Është i depolitizuar sepse duke e patur fitoren të sigurt ai nuk jep llogari para votuesit apo anëtarëve të tij. Edhe Berisha nuk është në politikë, është i depolitizuar. Është i depolitizuar sepse dihet që në krye s enuk mund të fitojë dhe kështu nuk mund të japë llogari pse humbi para votuesit të tij apo para anëtarëve të tij. Kjo është pikërisht gjendja për të cilën flet Pierre Mannent. Atëherë PD dhe PS hyjnë në zgjedhje meqë ka një datë një datë zgjedhjesh, meqë formalisht duhet të rilegjitimohen në pozcionet që kanë. Nga zgjedhjet nuk mund të lindë asgjë.
Zgjedhjet duhet të kenë vetëm një kujdes. Ato duhet të përdorin mekanizma, rregulla, ligj zgjedhor që ta bëjë sa më të qetë dhe sa më të pranueshëm këtë formalizim ose këtë rilegjitimizim. Që kjo të ndodhë duhet një ligj zgjedhor që nuk lejon asgjë që mund të rrezikojë sadopak pushtetin e Ramës apo të Berishës. Ligji zgjedhor, ligji i keq me lista të mbyllura në 30% të tyre, ligj që nuk jep asnëj mundësi t’i ndihmojë zgjedhjet të jenë instrument demokracie është thjesht një produkt banal ose rutinë e faktit që Rama nuk humb dot dhe Berisha nuk fiton dot.
Pra, Rama dhe Berisha në thelb nuk janë dy persona në politikë por dy persona që dominojnë jetën politike duke e vrarë politikën. E vetmja gjë që duket se i kërcënon egërsisht ata është një entitet tjetër, gjithashtu i depolitizuar si SPAK. Dhe ata po bëjnë dhe do të bëjnë gjithçka kundër tij.