Albinlena! – ANALIZA

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Kur Kosova u bë shtet u gëzuam e u lehtësuam. Aq e madhe sa sakrifica e luftës është edhe sakrifica e shtetit dhe shtetndërtimit; e institucioneve dhe ekonomisë.

Ka 30 seanca ku në Kosovë nuk po zgjidhet kryeparlamentari dhe partia e cila ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit ngul këmbë si mushka – në të vetën. Jemi parti e parë, thonë, na takon ne ta zgjedhim. Partia e parë ska veç privilegjin për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit por ka edhe detyrimin për të mos e lënë vendin pa institucione. Këta duan veç privilegjin, jo detyrimin që iu ngarkon vota.

Meqenëse përmendin fjalën republikë shumë shpesh, u duhet mësuar se republika është pakti, konsensusi, i palëve të kundërta për të pasur inatitucione të përbashkëta e inpersonale. Personalizimi i postit të kryeparlamentarit, o Albulena Haxhiu o ska, pra o teka e Albin Kurtit o ska, këta i nxjerr jashtë prej çdo parimi republikan.

Institucionet e Kosovës na përkasin të gjithve, janë produkt i luftës 100 vjeçare për çlirim, janë produkt i angazhimit intelektual të qindra burrave e grave të Kosovës e të mbarë trojeve shqiptare. Nuk janë as çiflig i Albin Kurit apo çdo kryetari tjetër partie. Nuk mund të jenë as lojë playstation ku Kurti luan stage pa fund “deri në fitore”, as janë eksperiment për revolucionin marksist-leninist, as janë stript-club mendor ku disa halabakë të Kosovës të veshur me kostum deputeti deklarojnë me arrogancë “nuk ja vlen as me i lexu propozimet e opozitës”. Kush janë këta? Çfarë janë këta që i njihkan vetes të drejtën për ta degraduar jetën publike e për ta lënë shtetin pa institucione?

Cilësia e politikanëve të Kosovës veç sa ka ardhur në përkeqësim. Dikur Rugova t’i ka fituar 60% të votave dhe për hir të shtetit e stabilitetit, gjithëpërfshirjes dhe perspektivës së Kosovës, ia ka dhënë kryeministrin një partie tjetër. Edhe Thaçi, edhe tjetri, edhe tjetri. Këta formulat e gjithëpërfshirjes i quajnë pazare, sepse këta mendojnë se gjithçka u takon këtyre.

Disa politikanë në pubertet mendor e politik. Dikur në vitet ’20, kanë qenë në Shqipëri disa si këta. Krijuan moton “O neve në fuqi, o Shqipëria shkrum e hi”. Mbi atë moto e kthyen parlamentin në sallë atentatesh me armë, organizuan grushtin e shtetit të qershorit ’24 dhe nisën djegien e shtëpive të kundërshtarëve politikë. Sepse si mafiozë mendonin se Shqipëria u takon veç atyre, gjithkush tjetër është tradhëtar.

Albin Kurti, VV e çdo parti tjetër duhet të kuptojnë se Kosova siu takon atyre, nuk është pronë e tyre, ata janë kalimtarë. Nëse nuk duan konsensus dhe duan gjithçka për vete e siç e duan vetë, le të shkojnë në zgjedhje me ketë referendum: gjithçka veç për ne. Nëse Kosova nuk u jep gjithçka por voton edhe parti të tjera, siç ka votuar, atëherë ky quhet mesazh ku populli kërkon konsensus dhe gjithëpërfshirje.

Nuk mund të penalizohet e dëmtohet Kosova për axhenda banale pushtetit të Albin Kurtit.

Latest articles

Related articles