Adem Shehi, ushtaraku tiranas që hyri i pari në Prishtinë: Trajnova mbi 500 luftëtarë për UÇK-në, mora komandën

spot_img
Advertisements

Në një intervistë ekskluzive në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, ushtaraku veteran Adem Shehi rrëfeu një pjesë të rëndësishme, shpesh të lënë në hije, të historisë së përfshirjes shqiptare në luftën për çlirimin e Kosovës. Ai zbuloi kontributin e tij dhe të shumë bashkëluftëtarëve nga Shqipëria në formimin dhe drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shehi, që më pas do të emërohej komandant i Brigadës 153, tha se ai personalisht kishte trajnuar mbi 500 vullnetarë nga viti 1997 deri në hyrjen e tij në Kosovë.

 “Evidencë të saktë nuk kam. Përafërsisht mund të kenë qenë mbi 500 vullnetarë që kanë ardhur… Mandej, duke parë gjendjen dhe informacionin që vinte nga Kosova, vendosa që do të hyja në Kosovë,” tha Shehi.

Ai shtoi se, ndër këta luftëtarë kishte edhe qytetarë nga diaspora, si Norvegjia, Belgjika, Gjermania, të cilët kishin ardhur për t’u përfshirë në luftë.

Shehi shpjegoi gjithashtu edhe përfshirjen e strukturave zyrtare shqiptare:

“Në formacione të ndryshme kemi qenë 11 oficerë aktivë në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në detyra drejtuese. Numri i vullnetarëve të tjerë që kanë qenë në formacion të mirëfilltë luftarak janë mbi 187 veta – e një e treta e tyre janë dëshmorë të Kosovës – nga Shqipëria Jugore, Shqipëria e Mesme dhe kryesisht nga pjesa veriore e Shqipërisë.”

Në një moment kulmor të rrëfimit, Shehi kujtoi ditën historike të hyrjes në Prishtinë:

“Ne hymë të parët në Prishtinë, më 4 qershor 1999. Ishim të vendosur, të përgatitur, dhe mbi të gjitha me besim se po i shërbenim një ideali të drejtë – lirisë së Kosovës.”

Deklarata e tij vjen si një dëshmi e drejtpërdrejtë mbi përmasat e përfshirjes shqiptare në luftë, duke ndriçuar rolin që shumë prej tyre patën në terren, larg zhurmës mediatike dhe shpesh edhe jashtë vëmendjes institucionale.

Latest articles

Related articles